VIDEO/ Ushtria shpëton 220 dele që rrezikoheshin nga përmbytja e shkaktuar nga vërshimi i Semanit

Forcat e ushtrisë sapo kanë përfunduar nxjerrjen nga zona e përmbytur nga çarja e argjinaturës së shtratit të Lumit Seman të 220 deleve.

Ndërkohë mësohet që më herët janë nxjerrë nga dy stalla 200 qengja, ndërsa operacioni për shtupimin e gjësë së gjallë dhe minimizimit të dëmeve vazhdon.

Çarja e argjinaturës së lumit Seman në disa segmente ka përmbytur qindra hektarë tokë bujqësore në fshatin Hasturkas në Libofshë dhe 20 banesa.

Banorët të cilët kanë qëndruar përgjatë gjithë natës në gatishmëri shprehen të alarmuar nga situata.

Përgjatë gjithë natës janë evakuuar 9 persona të cilët janë strehuar tek të afërmit e tyre, ndërsa të tjerë janë të shqetësuar për fatin e të afërmve të tyre me të cilët kanë humbur kontaktet.

Ndërkohë forcat e ushtrisë ndodhen me varka pranë zonës detare dhe pranë stallave të bagëtive për të evakuuar jo vetëm çobanët, por edhe bagëtitë e rrezikuara.

Banorët fajësojnë njëzëri për situatën mosmarrjen e masave për forcimin e argjinaturës në pjesët më problematike të saj.