Bllokim rrugësh dhe temperatura të ulëta në Elbasan, 10 zona të Librazhdit në errësirë

Moti i përkeqësuar që ka përfshirë Qarkun e Elbasanit ka sjellë probleme të shumta në furnizimin me energji elektrike, veçanërisht në zonat malore të rajonit. Aktualisht, mungesa e energjisë elektrike raportohet në disa fidra të Rajonit të Elbasanit, konkretisht:

-Fidri 6 Lunik – Nënstacioni Librazhd, ku pa energji janë zonat Qytezë, Qarrisht, Borovë, Zabzun dhe Stërblevë.

-Fidri 4 Polis – Nënstacioni Librazhd, ku problematika prek zonat Sopot dhe Vilan.

-Fidri 3 – Nënstacioni Librazhd, ku mungesa e energjisë është evidentuar në zonat Qershizë Banjë, Verrisht Banjë dhe Mali i Xhyrës.

OSHEE bën me dije se, grupet e punës janë në terren dhe po punohet për rikthimin e energjisë elektrike në të gjitha zonat e mbetura pa furnizim. Energjia rikthehet herë pas here, por ndërhyrjet po vështirësohen nga bllokimi i rrugëve, i shkaktuar nga reshjet dhe temperaturat e ulëta.

Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve për mirëkuptim, ndërsa  shprehen se furnizimi me energji do të normalizohet sapo kushtet të lejojnë ndërhyrje të plotë në të gjitha zonat problematike.