Koqinaj: Situata nga përmbytjet në disa zona po qetësohet, strukturat e emergjencës në terren
Zëdhënësi i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave Civile, Nehat Koqinaj, foli për OraNews lidhur me situatën nga përmbytjet në zonat e goditura ditëve të kaluara po shkon drejt stabilizimit.
“Kjo është rezultat i rënies së dëborës që nga mbrëmja e djeshme, gjë që ka ndikuar pozitivisht në qetësimin e rritjes së përmbytjeve,” tha Koqinaj.
Ai shtoi se i gjithë komuniteti është angazhuar së bashku me Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave për të menaxhuar situatën.
Në terren, njësitë e shërbimit zjarrfikës janë të detyruara të ofrojnë ndihmë qytetarëve për evakuim, shpëtim dhe furnizim me ujë, veçanërisht në zonat ku është reduktuar furnizimi me ujë të pijshëm.
Strukturat e emergjencës do të vazhdojnë monitorimin e situatës dhe ndërhyrjet deri në normalizimin e plotë të zonave të prekura.
