PËRMBYTJET ‘PARALIZOJNË’ KOSOVËN/ Al Jazeera dhe Reuters ndajnë pamjet
Përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e dendura kanë vënë Kosovën në qendër të vëmendjes së mediave ndërkombëtare. Al Jazeera dhe Reuters raportojnë për evakuime masive dhe dëme të mëdha materiale në shumë zona të vendit. Në Drenas sot situata paraqitet më e qetë, ndërsa autoritetet vazhdojnë vlerësimin e dëmeve.
Përmbytjet e rënda që kanë përfshirë Kosovën kanë marrë vëmendjen e mediave më të mëdha ndërkombëtare.
Al Jazeera dhe Reuters kanë publikuar pamje dramatike nga zonat e prekura, ku shihen shtëpi dhe rrugë të tëra nën ujë, qytetarë që evakuohen me varka dhe ekipe emergjente që punojnë pa ndërprerë.
Në fshatin Kuzmin, afër Prishtinës, ekipet e shpëtimit ndërhynë për të evakuuar një familje me një fëmijë të vogël, pasi uji kishte përmbytur plotësisht shtëpinë e tyre. Situata të ngjashme janë raportuar në shumë komuna të vendit.
Një nga zonat më të goditura është edhe komuna e Drenasit. Reshjet e mëdha të shiut dëmtuan shtëpi, rrugë dhe ura, duke vështirësuar qarkullimin dhe jetën e përditshme të banorëve.
Nexhmedin Gruda, drejtori i emergjencave në Drenas- “Me krahasu me ditën e djeshme, sot situata duket të jetë më e qetë, mirëpo me vazhdimin e shirave që parashihen, sigurisht se do të vazhdojë situata e vlerësimit. Rruga dhe ura janë dëmtuar në rrugën për në Dobroshevc; aty është problemi më i madh i qarkullimit.”
Autoritetet komunale kanë nisur ndërhyrjet për uljen e nivelit të ujit, ndërsa nga dita e nesërme do të funksionalizohen dy komisione për vlerësimin e dëmeve në familje dhe biznese.
Ndërkohë, familje të shumta janë strehuar te të afërmit e tyre, ndërsa shërbimet emergjente vazhdojnë monitorimin e situatës, pasi parashikimet meteorologjike paralajmërojnë reshje të tjera në ditët në vijim.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të ndjekin udhëzimet e institucioneve përkatëse, ndërsa Kosova vazhdon të përballet me një nga situatat më të rënda të përmbytjeve të viteve të fundit.
