Ministri Jones: Tranzicioni paqësor sa më shpejt në Venezuelë

Një tranzicion “paqësor” i pushtetit në Venezuelë duhet të arrihet shpejt, ka deklaruar një ministër i kabinetit britanik, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se Shtetet e Bashkuara do ta “drejtojnë” vendin derisa të formohet një qeveri e re.

Darren Jones, sekretari kryesor i kryeministrit britanik, Keir Starmer, tha se Britania e Madhe nuk ishte e përfshirë në operacionin amerikan dhe as nuk ishte informuar paraprakisht për sulmet ndaj Karakasit.

Ai refuzoi të komentojë mbi ligjshmërinë e veprimit, duke theksuar se vlerësimi i tillë i takon gjykatave ndërkombëtare.

Jones nënvizoi se prioriteti kryesor pas zhvillimeve të 48 orëve të fundit duhet të jetë arritja e një tranzicioni paqësor drejt një udhëheqjeje që gëzon mbështetjen e popullit venezuelian, duke shtuar se nuk i takon një vendi të tretë të vendosë për të ardhmen politike të Venezuelës.

Presidenti Trump deklaroi se udhëheqësi venezuelian Nicolas Maduro dhe bashkëshortja e tij janë nxjerrë nga vendi dhe janë paditur për akuza “narko-terrorizmi”. Sipas tij, SHBA-ja do të “drejtojë” Venezuelën përkohësisht, derisa të realizohet një transferim pushteti i sigurt dhe i rregullt.

Trump tha gjithashtu se administrata amerikane synon të ndërhyjë në sektorin e naftës së Venezuelës, duke “rregulluar” infrastrukturën dhe duke shitur sasi të mëdha nafte në tregjet ndërkombëtare.

Veprimi është përshkruar si ndërhyrja më e ashpër amerikane për ndryshim regjimi që nga pushtimi i Irakut në vitin 2003.

Kryeministri britanik  Starmer ka shmangur kritikat e drejtpërdrejta ndaj Uashingtonit, duke theksuar rëndësinë jetike të marrëdhënieve të sigurisë dhe inteligjencës me SHBA-në.

Ai pranoi se ekzistojnë dallime pikëpamjesh me presidentin Trump, por theksoi se ruajtja e partneritetit me Uashingtonin është në interesin kombëtar të Britanisë së Madhe.