ROBOTËT I FUTEN SPORTEVE/ Sportet me humanoidë po shndërrohen në laboratorin kryesor të teknologjisë kineze

Kina po përjeton një bum të pazakontë të sporteve me robotë humanoidë, të nxitur nga ambiciet teknologjike dhe mbështetja shtetërore. Futbolli me robotë është kthyer në provën kryesore për inteligjencën artificiale dhe koordinimin mekanik. Ekspertët thonë se kjo garë mund të hapë rrugën për futjen e robotëve humanoidë në jetën e përditshme.

Në periferi të Pekinit, robotë humanoidë vrapojnë, driblojnë dhe godasin topin në një fushë futbolli. Aty, inxhinierët e kompanisë Booster Robotics po testojnë kufijtë e inteligjencës artificiale, duke e kthyer sportin në një laborator real për teknologjinë e së ardhmes.

Në krye të kësaj nisme është sipërmarrësi i ri Cheng Hao, i cili synon të zhvillojë robotët humanoidë më të avancuar në botë për futbollin. Sipas tij, loja nuk është thjesht spektakël, por një provë thelbësore për lëvizjen, shikimin, balancën dhe bashkëpunimin mes robotëve, aftësi që më pas mund të përdoren në fabrika apo në shtëpi.

Kjo qasje ka sjellë një shpërthim aktivitetesh sportive me robotë në mbarë Kinën. Gjatë vitit 2025, robotë humanoidë kanë vrapuar gjysmë-maratona, kanë boksuar dhe kanë marrë pjesë në Lojërat e Para Botërore të Robotëve Humanoidë në Pekin, ku u testuan edhe në mjedise që simulojnë fabrika dhe dyqane.

Një nga eventet më të rëndësishme mbetet RoboCup, ku ekipi i Booster Robotics fitoi kampionatin, duke tërhequr vëmendje globale dhe shumë investime. Vetëm pak ditë pas fitores, kompania siguroi mbi 14 milionë dollarë financim.

Pas këtij revolucioni qëndron edhe shteti kinez, i cili prej vitesh e ka futur robotikën në prioritetet strategjike kombëtare. Por objektivi afatgjatë është që industria të qëndrojë në këmbët e veta dhe robotët të kalojnë nga arena sportive në përdorim masiv.

Sipas ekspertëve, pavarësisht gabimeve dhe rrëzimeve të shpeshta, sportet me robotë po përshpejtojnë zhvillimin teknologjik. Dhe ambicia është e qartë: Në të ardhmen, robotët humanoidë të mos jenë më vetëm në fusha loje, por edhe në çdo shtëpi.