Kostakurta dhe familja e tij kalojnë natën e Vitit të Ri duke ndihmuar të pastrehët në Milano

Alesandro Kostakurta, një prej ikonave të klubit të Milanit në vitet ’90, ka kaluar natën e ndërrimit të viteve jo si të gjithë të tjerët. Kostakurta, bashkë me gruan e tij, Martina Kolombari, si dhe djalin Akile, nuk kanë kaluara 31 dhjetorin duke festuar.

“La Repubblica Milano” bën ët ditur se ata i janë bashkuar “City Angels” në rrugët e qytetit të Milanos me një iniciativë të veçantë. Organizata në fjalë ndihmon njerëzit e pastrehë në qytet, sidomos në këtë periudhë të vitit kur ka më shumë nevojë pasi temperaturat bien ndjeshëm.

Kostakurta dhe familja e tij kanë kaluar natën në autobusin që përshkon rrugët e qytetit duke shpërndarë ushqime, pije të ngrohta dhe veshje për të pastrehët në Milano.

“Del më i pasur nga një eksperiencë e tillë, pashë djalin tim të lumtur, ideja ishte e tija. Dëshironte të bënte diçka konkrete për të tjerët. Qartësisht ka parë se sa të lumtur dhe të plotësuar jemi unë dhe gruaja ime kur kthehemi në shtëpi pasi bëjmë bamirësi”, shpjegoi Kostakurta se  si kishte lindur ideja për një fundviti të tillë. Akile, djali i çiftit, ka pranuar publikisht se ka tentuar vetëvrasjen pasi kishte pasur probleme të vazhdueshme me alkoolin dhe drogën.