ATALANTA MPOSHT ROMËN/ Berat Gjimshiti shpallet lojtari i ndeshjes, polemika për arbitrimin

Mjaftoi një gol i Skalvinit që Atalanta të merrte një fitore të rëndësishme përballë Romës. Edhe pse mes polemikash, Bergamasët tashmë po afrohen në zonën Champions.

Atalanta mori një fitore me mjaft vlerë kundër një rivali direkt si Roma.

Goli i vetëm u shënua nga Scalvini në minutën e 12, që në fakt ka shkaktuar shumë polemika për arbitrimin.

Ishte ndeshja e parë e Gasperinit kundër Atalantës që kur u largua në verë pas nëntë sezoneve me shumë gola në drejtim, gjatë të cilave ai e transformoi ekipin e Bergamos në një pretendente kryesore në Itali dhe Evropë.

Atalanta ka pasur vështirësi që nga largimi i tij dhe tashmë është me trajnerin e saj të dytë pas Gasperinit.

Ky i fundit tha pas ndeshjes se Atalanta është një ekip i madh dhe i rritur në nivele të tilla prej vitësh.

Pranoi po ashtu se nuk është rastësi të humbasësh, duke shprehur domosdoshmërinë e përmirësimit të skuadrës së tij, Roma.

Lojtari i kombëtares shqiptare Berat Gjimshiti zhvilloi një paraqitje të jashtëzakonshme në fitoren minimale të Atalantës ndaj Romës, në ndeshjen e përfunduar me rezultatin 1:0.

Gjimshiti ishte lider absolut i prapavijës së Atalantës, duke ndalur me siguri sulmet e Romës dhe duke treguar qetësi, forcë fizike dhe saktësi në çdo duel.

Performanca e tij e shkëlqyer u shpërblye me çmimin lojtari i ndeshjes, ndërsa u vlerësua me notën e lartë 8.9.

Me këtë paraqitje, Gjimshiti konfirmon edhe një herë rëndësinë e tij në formacionin e Atalantës dhe formën e shkëlqyer që po kalon këtë sezon, duke qenë një nga mbrojtësit më konstantë në Serie A.

Me këtë fitore, Atalanta mban vendin e 8 me 25 pikë, ndërsa Roma në vendin e pestë me 33 pikë, po aq sa edhe Juventusi.