Rreth 250 miliardë lekë kredi të reja për bizneset

Kredia për bizneset ka vijuar të rritet me një ritëm të qëndrueshëm gjatë vitit 2025, duke reflektuar një përmirësim të ndjeshëm veçanërisht në gjysmën e dytë të vitit, bëjnë të ditur të dhënat e publikuara nga Banka e Shqipërisë.

Sipas statistikave të BSH-së, për periudhën 11-mujore të vitit 2025, sektori bankar ka disbursuar gjithsej rreth 250 miliardë lekë kredi të reja për bizneset, duke shënuar një rritje vjetore prej 6.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Të dhënat tregojnë se rritja e kreditimit është mbështetur kryesisht nga sektorët kryesorë të ekonomisë, ku pjesën më të madhe të kredisë së re e kanë përfituar sektori i shërbimeve dhe hoteleri-turizmit, industria përpunuese, si dhe industria ushqimore.

Sipas Bankës së Shqipërisë, përmirësimi i kërkesës për kredi nga bizneset reflekton rritjen e aktivitetit ekonomik, përmirësimin e klimës së besimit dhe kushte më të favorshme financimi në sistemin bankar.

Banka Qendrore vlerëson se tendenca pozitive e kreditimit për bizneset ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në mbështetjen e investimeve, zgjerimin e kapaciteteve prodhuese dhe forcimin e sektorëve kyç të ekonomisë.

BSH thekson do të vijojë të ndjekë nga afër zhvillimet në tregun e kreditimit, me synimin për të ruajtur stabilitetin financiar dhe për të mbështetur rritjen e qëndrueshme ekonomike në vend.