Alen Sherri sërish pjesë e Serisë A, Cagliari e rikthen nga huazimi
Alen Sherri është rikthyer më herët se sa ishte planifikuar te Cagliari në Serinë A të futbollit në Itali, kjo sipas Sky Sport. Portieri i kombëtares shqiptare kishte kaluar në huazim te Frosinone në Serinë B për një sezon, por marrëveshja mes klubeve është ndërprerë.
Vendimi i klubit nga Sardenja lidhet me largimin e portierit të dytë, Boris Radunovic, i cili është transferuar te Spezia për të pasur më shumë hapësira aktivizimi. Në këto kushte, drejtuesit e Cagliarit kanë vendosur të mos investojnë në një portier të ri, por të rikthejnë Sherrin, kartonin e të cilit e blenë nga Egnatia në verën e vitit 2024.
Eksperienca e Sherrit te Frosinone nuk rezultoi pozitive, pasi ai u aktivizua vetëm në një ndeshje kundër Monzës duke sepse u dëmtuar rëndë në fytyrë dhe qëndruar gjatë jashtë fushave të blerta.
Gjithçka është mbyllur mes palëve, ndërsa rikthimi i portierit shqiptar te Cagliari pritet të zyrtarizohet pas 2 janarit, me hapjen e merkatos dimërore në Itali.
