DITA E VETERANIT TË UÇK-së/ Homazhe në Prekaz, Gucati: Veteranët kërkojnë respekt institucional

Në Ditën e Veteranit të UÇK-së, u mbajtën homazhet në Prekaz dhe në gjithë Kosovën. Hysni Gucati, kritikoi institucionet për mungesën e ligjit për vlerat e luftës. Ndërsa presidentja Osmani dhe Ramush Haradinaj vlerësuan sakrificën e luftëtarëve të lirisë.

Me homazhe solemne në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe në shumë qytete të Kosovës, u shënua Dita e Veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në vendin që cilësohet si simbol i rezistencës dhe i shkëndijës së parë të luftës për liri, veteranët, familjarët e dëshmorëve dhe qytetarët nderuan sakrificën e atyre që ranë për atdheun.

Në këtë ditë, kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, tha se veteranët nuk ndihen plotësisht të lirë për shkak të mungesës së ligjit për vlerat e luftës dhe trajtimit institucional të kontributit të tyre.

Gucati e cilësoi gjithashtu festën si të mangët për shkak të paraburgimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke thënë se mungesa e tyre e rëndon këtë përvjetor.

Ndërkohë, presidentja Vjosa Osmani, në një mesazh urimi, u përul me respekt para veteranëve dhe dëshmorëve, duke theksuar se liria nuk dhurohet, por fitohet me guxim dhe sakrificë.

Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e cilësoi këtë ditë si ditë krenarie, duke kujtuar se luftëtarët, krah aleatëve, e mposhtën armikun dhe i sollën lirinë vendit.

Homazhe përkujtimore u mbajtën gjatë gjithë ditës në mbarë Kosovën, duke rikujtuar se sakrifica e luftës mbetet themel i shtetit dhe përgjegjësi e përhershme për brezat që vijnë.