“TË FITUARA” ME VEPRIMTARI KRIMINALE/ Sekuestrohen pasuritë e të dënuarit nga Franca (EMRI)
Prokuroria e Shkodrës ka sekuestruar pasuri dhe llogari bankare të Brigeno Binoshajt dhe familjarëve të tij, të dyshuara si të përfituara nga veprimtari e paligjshme. Hetimet vijojnë për të verifikuar origjinën e pasurive dhe lidhjen e tyre me aktivitet kriminal.
Prokuroria e Shkodrës ka sekuestruar disa pasuri në pronësi të Brigeno Binoshaj dhe familjarëve të tij, në kuadër të një hetimi pasuror të zhvilluar për dyshime mbi përfitimin e pasurive nga veprimtari të paligjshme.
Sipas organit të akuzës, pasuritë e sekuestruara nuk justifikohen me të ardhurat e ligjshme të deklaruara nga subjekti dhe personat e lidhur me të.
Nga hetimet rezulton se Binoshaj është dënuar më herët nga autoritetet franceze për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike.
Në vijim të këtij precedenti penal, prokuroria ka kryer verifikime të detajuara mbi pasuritë e tij dhe të familjarëve, duke konstatuar një disproporcion të theksuar mes të ardhurave të ligjshme dhe vlerës së aseteve në pronësi.
Në kuadër të procedimit janë sekuestruar disa automjete, dhe tre motomjete. Gjithashtu, janë bllokuar të gjitha llogaritë bankare në emër të Binoshajt dhe familjarëve të tij.
Prokuroria e Shkodrës bën me dije se hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht burimin e pasurive dhe për të përcaktuar nëse ato rrjedhin nga veprimtari kriminale, në përputhje me legjislacionin në fuqi për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive me origjinë të paligjshme.

