"Akulli i zi" mbush plot urgjencat e spitaleve në Gjermani

I ashtuquajturi ”akull i zi” – një shtresë e hollë dhe transparente akulli mbi një sipërfaqe, që është jashtëzakonisht e rrezikshme sepse është pothuajse e pamundur të shihet – ka provokuar një numër rekord incidentesh në Gjermani.

”Akulli i zi” – që në të vërtetë nuk është i zi, por lejon që trotuari ose sipërfaqja e errët poshtë tij të duket – shkaktoi në landin lindor të Saksonisë dhjetëra incidente duke mbushur plot urgjencat e spitaleve.

”Në Berlin, shumë dhoma urgjence ishin të mbingarkuara me njerëz që vinin me thyerje të ndryshme kockash për shkak të akullit”, raportoi sot gazeta ”Tagesspiegel”.

Shërbimi Gjerman i Motit pret që kushtet e rrëshqitshme të mbeten deri në mes të mëngjesit, veçanërisht në qendër të vendit.

Mund të bjerë shi i imët, i cili më pas do të ngrijë në tokë.

Por, temperaturat më të ngrohta priten deri në mesditë, të cilat duhet të shkrijnë akullin e zi.

Një zëdhënës i policisë së Saksonisë tha se oficerët “ishin kryesisht të zënë me këto aksidente”.

Në një rast në Zwickau, në jug, një shofer u përplas me një shenjë trafiku për shkak të sipërfaqes së rrëshqitshme të rrugës.

Hetuesit vlerësojnë dëmin në rreth 23 000 euro. Shoferi nuk u lëndua.

Në Hessen lindore, një 19-vjeçar humbi kontrollin e makinës së tij për shkak të kushteve të rrëshqitshme.

”Makina u përmbys disa herë”, sipas policisë.

Të premten në mbrëmje dhe të shtunën në mëngjes kishte pasur aksidente të shumta për shkak të rrugëve të rrëshqitshme, veçanërisht në veri të vendit.