Këshilli Gjyqësor zgjedh kryetarin e Gjykatës Themelore të Prishtinës

Këshilli Gjyqësor i Kosovës e ka emëruar gjyqtarin, Ngadhnjim Arrnin kryetar të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Arrni mori gjithsej 8 vota pro, asnjë kundër dhe një abstenim.

Në garë për këtë pozitë ishin edhe gjyqtarët, Alban Ajvazi dhe Kushtrim Shyti.

Kryesuesi i KGjK-së, Albert Zogaj tha se gjyqtarit, Arrni tani në pozitën e kryetarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe ka mandat pesëvjeçar.

“Me 8 vota pro, një abstenim dhe asnjë kundër gjyqtari Ngadhnjim Arrni emërohet kryetar i Gjykatës në Prishtinë, mandati i të cilit është pesë vite”, tha ai.

Në mbledhjen e sotme Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka miratuar draftrregulloren për pagesën e shpenzimeve të procedurës penale në gjykatat e Republikës së Kosovës.

Për këtë rregullore, kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj tha se kjo rregullore të ketë impakt në politikat ndëshkimore, por edhe në të ardhurat e sistemit gjyqësor.

Sot KGjK kanë miratuar edhe draftrregulloren për sistemin qendror të evidencës penale në Republikën e Kosovës, si dhe draftrregulloren për regjistrat e personave që iu hiqet zotësia e veprimit, regjistrin e personave që iu hiqet e drejta prindërore, si dhe regjistrin e adoptimit.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe planin vjetor të punës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2026.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj tha se pikë kyçe në këtë plan të punës për vitin 2026 është drejtësia administrative.

KGJK sot ka miratuar edhe organogramin e përgjithshëm të gjykatave për vitin 2026. Me këtë rast, udhëheqësi i këshillit tha se sistemi gjyqësor i Kosovës ka numrin më të ulët të gjyqtarëve në nivel të Ballkanit Perëndimor.

Ai tha se ky është alarm për pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës në mbledhjen e sotme ka shpall tri pozita të lira për anëtar të këtij këshilli, pasi gjyqtarja Ivana Milenkoviç është emëruar nënkryetare e Gjykatës së Apelit. /KosovaPress