“SI SHQIPONJA” PËR MBROTJEN! Eksperti: Shqipëria e Kosova, mesazhe sigurie e bashkëpunimi
Shqipëria e Kosova po ecin po ecin drejt një doktrine të përbashkët ushtarake dhe operacionale, sipas ekspertëve të Sigurisë. Vizita e kreut të Forcave të Armatosura të Shqipërisë në Kosovë shihet si sinjal i qartë për forcimin e bashkëpunimit strategjik dhe rolit në NATO.
Kosova e Shqipëria po ecin drejt një doktrine të përbashkët ushtarake dhe operacionale. Kështu e shikon eksperti I sigurisë Drizan Shala, vizitën e Gjeneral Lejtnant Arben Kingjit, kreut të Forcave të Armatosura të Shqipërisë në Kosovë. Mesazhet sipas tij janë domethënëse për paqen e sigurinë në rajon por edhe si një tregues i zbatimit të marrëveshjes trepalëshe, Kosovë-Shqipëri- Kroaci.
SHALA: “Pa dyshim është tregues dhe bazohet kryesisht në marrëveshjen tripalëshe, ku në këtë marrëveshje do të kemi implikime të drejtpërdrejta progresive sa i përket doktrinës ushtarake dhe sa i përket operacionalitetit, pra bashkëpunimeve operacionale mes ushtrisë së Kosovës dhe ushtrisë së Shqipërisë. Njëkohësisht do të kemi një segment tjetër të rëndësishëm, atë të teknologjisë së industrisë ushtarake, ku Kosova dhe Shqipëria do të prodhojnë mjete të blinduara dhe armatim, të cilat do të përshkruhen në etiketën e tyre ‘Made in Kosovo and Albania’”
Vizitën Shala e sheh me rëndësi edhe në aspektin e Aleancës Euroatlantike NATO,ku Kosova synon të anëtarësohet.
SHALA: “…vizita e shefit të shtabit edhe me komandantin e KFOR-it, nuk është vetëm si reflektim i sigurisë, por është një tregues i një pozicioni strategjik të Forcave të Armatosura shqiptare në kuadër të Aleancës Veri-Atlantike, duke marrë përgjegjësi dhe duke ofruar stabilitet në misionet e saj, qoftë në KFOR, qoftë në misionet e NATO-s në pjesën e Bosnjës dhe Hercegovinës”
Por a mbart në vetvete një mesazh politik kjo vizitë?
SHALA: “Mesazhi politik është që Ushtria e Shqipërisë do të akceptohet dhe do të pozicionohet si një forcë kompatibile dhe operacionale me forcat ndërkombëtare, duke dhënë besim që të udhëheqë misionet përkatëse, ku në vitin 2027 kemi zëvendësimin e komandantit të KFOR-it nga Ushtria Shqiptare”.
Kreu Forcave të Armatosura të Shqipërisë gjatë vizitës në Kosovë, takoi homologun e tij kosovar, por edhe kreun e KFOR-it, Ozkan Ulutash.
