Hoti: Shtesat prej 100 eurosh, ndihmë simbolike apo mekanizëm për të tërhequr vota?

Gazetari Shkodran Hoti, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin "Për Shqiptarët", në  “Ora News”, komentoi ndarjen e shtesave financiare nga Qeveria Kurti, duke vënë në dukje kufirin mes ndihmës sociale dhe përdorimit të saj për përfitime elektorale.

" Në njërën anë duhet thënë që me të vërtetë kjo është një partikë që zoti Kurti dhe qeveria e tij e ka ndjekur në çdo fundvit, pra kanë ndarë shtesat e njëhershme siç i quan ai dhe qeveria e tij, për këto kategori që janë kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë, pra po flasim për fëmijët dhe të moshuarit.

Në anën tjetër duhet të kemi parasysh se dhe fakti që këto mjete ndahen në kohë të zgjedhjeve, apo ndahen në muajin herët apo muajin e vonë, kjo nuk e përjashton këtë kritikën opozitare, që në një farë mënyre e quan blerje të votave, apo mekanizëm sesi me i thith votat.

Akuza të ngjashme ka bërë vetë 'Vetëvendosja' se ka qenë opozitare, në momente që janë ndërmarrë veprime të tilla nga pushtetet e kaluara, prandaj mendoj që në këtë mes, opozitarët apo ish partitë opozitare e kanë një farë të drejte për shkak se përderisa shumë projekte apo invesime kapitale janë bllokuar, qeveria në një farë mënyre po e luan këtë lojën e kësaj ndihmës që për mua është ndihmë simbolike, siç është shtesa prej 100 eurove dhe këtë po e bën në momente të festave dhe po rastis ta bëj dhe në kohë zgjedhjesh",u shpreh Hoti.