Japonia miraton buxhetin rekord mes tensioneve me Kinën
Qeveria japoneze po i përgjigjet javëve të tensioneve të larta me Kinën me shpenzime rekord për mbrojtjen kombëtare.
Projektbuxheti për vitin fiskal 2026, i miratuar sot nga kabineti, parashikon një rritje prej 3,5% të shpenzimeve ushtarake, në rreth 9,1 trilionë jenë (58 miliardë dollarë).
Rreth 100 miliardë jenë janë ndarë për zhvillimin e një sistemi të quajtur “Shield”, që synon mbrojtjen e vijës së gjatë bregdetare të Japonisë dhe ishujve të largët nga anije, nëndetëse dhe dronë.
Forcimi ushtarak po zhvillohet në një klimë tensionesh të shtuara me Kinën fqinje, pas deklaratave të kryeministres Sanae Takaichi në nëntor lidhur me Tajvanin.
Takaichi tha se një sulm i Kinës ndaj ishullit vetëqeverisës do të përbënte një “kërcënim ekzistencial” për Japoninë, çka mund ta detyronte Tokion të ushtronte të drejtën e vetëmbrojtjes.
Pekini reagoi me kritika të ashpra, paralajmërime udhëtimi, anulime fluturimesh dhe ndalimin e importeve të produkteve detare japoneze.
Edhe plani i Japonisë për të vendosur raketa në ishullin Yonaguni, rreth 110 kilometra larg Tajvanit, hasi në një reagim të fortë nga Kina.
Së fundmi, Tokio protestoi pasi avionë ushtarakë kinezë dyshohet se kanë shënjestruar avionë luftarakë japonezë pranë arkipelagut jugor të Okinawas me radarë specialë për gjurmimin e objektivave.
Pekini i mohoi akuzat.
Projektbuxheti për vitin fiskal që nis më 1 prill arrin një rekord prej 122,3 trilionë jenësh dhe synon të financojë rritjen e shpenzimeve sociale, në kushtet e plakjes së shpejtë të shoqërisë japoneze.

