Aktivisti britanik padit qeverinë amerikane pas vendimit për ndalimin e hyrjes së tij në SHBA

Shtetasi britanik Imran Ahmed, një nga pesë figurat evropiane që mbështesin rregullime më të rrepta të sektorit të teknologjisë dhe të cilëve u është ndaluar hyrja në Shtetet e Bashkuara, ka ngritur një padi kundër administratës së presidentit Donald Trump.

Sipas padisë së paraqitur në një gjykatë në Nju Jork, Ahmed pohon se përballet me rrezikun e “arrestimit jokushtetues, paraburgimit ndëshkues dhe deportimit” nga vendi i tij i origjinës.

Dokumenti ligjor thekson se “qeveria federale e ka bërë të qartë se Ahmedi është subjekt i sanksioneve” për shkak të punës së organizatës joqeveritare që ai ka themeluar dhe drejton, Qendrës për Kundërshtimin e Urrejtjes Dixhitale (Center for Countering Digital Hate).

Kjo organizatë monitoron politikat e platformave kryesore të mediave sociale dhe ka kritikuar vazhdimisht praktikat e platformës X, e njohur më parë si Twitter, e cila është në pronësi të miliarderit Elon Musk.

Të martën, përveç Imran Ahmed, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione edhe ndaj tre përfaqësuesve të tjerë të organizatave që luftojnë dezinformimin dhe gjuhën e urrejtjes në internet: Clare Melford, drejtuese e Indeksit Global të Dezinformimit me seli në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe Anna-Lena von Hodenberg dhe Josephine Ballon nga organizata gjermane HateAid.

Në listën e të sanksionuarve përfshihet gjithashtu edhe ish-Komisioneri Evropian për Çështjet Dixhitale, francezi Thierry Breton.

Autoritetet amerikane nuk kanë komentuar ende publikisht mbi padinë apo mbi arsyetimin ligjor të sanksioneve.

Aktivisti britanik padit qeverinë amerikane pas vendimit për ndalimin