Parashikimi për vitin 2026 i "BILD"-it: Çfarë do të ndodhë me luftën në Ukrainë
Nga Julian Roepcke, BILD
Që nga shkurti i vitit 2022, Rusia po përpiqet ta shkatërrojë Ukrainën. Dhe edhe pse përpjekjet diplomatike janë intensifikuar që nga marrja e detyrës nga presidenti amerikan Donald Trump janarin e kaluar, ka pak shenja që Rusia do t’i ulë ambiciet e saj për shkatërrimin e Ukrainës në muajt në vijim.
Për rrjedhojë, probabiliteti është i lartë që edhe viti 2026 të jetë një vit lufte në Ukrainë dhe në Rusi – pavarësisht nëse SHBA-të ofrojnë apo jo mbështetje ushtarake.
Fokusi kryesor i Kremlinit mbetet rajoni i Donjeckut, të cilin Ukraina ende e kontrollon rreth 25 për qind. Por, duke qenë se kjo është edhe vija më e fortë mbrojtëse e Ukrainës, nuk pritet ndonjë përparim i suksesshëm i rusëve në këtë zonë.
Pavarësisht fuqisë superiore të zjarrit: Përparimi i Putinit në vitin 2025 ishte i pakët.
Aktualisht, dy qytetet e mëdha të fundit nën kontrollin ukrainas – Slovjansk dhe Kramatorsk – ndodhen rreth 25 kilometra larg vijës së frontit. Është e mundur që Rusia të afrohet më tej, ndoshta madje të arrijë kufijtë e qyteteve. Megjithatë, shumica e vëzhguesve nuk e konsiderojnë të mundshme pushtimin e këtyre dy metropoleve gjatë vitit të ardhshëm.
Prandaj, Rusia do t’i shpërndajë përpjekjet e saj sulmuese, ashtu si në vitin 2025, për ta goditur Ukrainën aty ku linjat dhe rezervat njerëzore janë më të dobëta.
Nga njëra anë, ushtria e Putinit po avancon në rajonet jugore Zaporizhzhja dhe Dnipropetrovsk. Është shumë e mundshme që në vitin 2026 qytetet e vogla Huljajpole, Orikhiv, Stepnohirsk dhe Pokrovske të bien në duart e pushtuesve rusë.
Qyteti i Zaporizhzhjas (700.000 banorë) do të ndodhej atëherë vetëm 15 kilometra larg frontit. Pavlohradi (100.000 banorë) do të ishte vetëm 50 kilometra larg frontit – brenda rrezes së dronëve dhe bombave rrëshqitëse.
Më shumë se 2100 civilë janë vrarë nga Rusia në Ukrainë gjatë vitit të kaluar. Qindra mijëra të tjerë janë shndërruar në refugjatë si pasojë e përparimit rus.
Nga ana tjetër, Rusia po vazhdon projektin e saj të zhvendosjes së kufirit, të maskuar si “zonë tampon”, në rajonet e Kharkivit dhe Sumit, për të rritur presionin mbi ushtrinë dhe popullsinë ukrainase edhe përtej fronteve të njohura brenda Ukrainës.
Ditët e fundit, ushtria e Putinit ka kryer disa sulme ndërkufitare. Është e mundur që në vitin 2026 të krijohen një sërë “xhepash” të rinj pranë kufirit, por brenda territorit ukrainas.
Në vitin 2025, ushtria ruse pushtoi rreth 4400 kilometra katrorë territor ukrainas – rreth 1 për qind të asaj që ka mbetur e Ukrainës – dhe humbi rreth 100.000 ushtarë (vetëm të vrarë). Dhe, sado cinike të tingëllojë: nëse ky trend vazhdon edhe në vitin 2026, të dyja palët mund të mësojnë të jetojnë me këtë realitet.
Si përfundim, viti 2026 rrezikon të jetë edhe një vit tjetër i luftës shteruese ruso-ukrainase, me mbështetje përkatësisht nga Kina dhe Perëndimi. Përveçse nëse ndodh një “mrekulli” e vogël dhe vullneti për “paqe” (ngrirje e frontit) fiton terren edhe në Moskë.

