Ish-presidenti i burgosur i Brazilit i nënshtrohet me sukses një operacioni në hernie

Ish-presidenti i burgosur i Brazilit, Jair Bolsonaro, i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për hernie bilaterale, bëri të ditur djali i tij, Flavio Bolsonaro.

“Operacioni, i kryer në një spital në kryeqytetin Brazilia, doli me sukses”, shkroi Flavio Bolsonaro në rrjetin social X.

Sipas portalit informativ “G1”,  Bolsonaro, 70-vjeç, pritet të qëndrojë në spital për rreth një javë.

Bolsonaro ka kaluar disa operacione vitet e fundit, pas një sulmi me thikë gjatë fushatës presidenciale të vitit 2018, ku u plagos rëndë.

Një gjykatës federal autorizoi procedurën e fundit mjekësore.

Ish-presidenti, i cili ishte në detyrë nga viti 2019 deri në 2022, po vuan një dënim me mbi 27 vjet burg që nga fundi i nëntorit, për tentativë për përmbysjen e qeverisë.

Prokurorët e akuzojnë atë se ka planifikuar një grusht shteti kundër qeverisë së pasardhësit të tij, Luiz Inácio Lula da Silva, pasi humbi zgjedhjet.

Megjithatë, gjykatësi hodhi poshtë kërkesën e avokatëve të Bolsonaros që ai ta vuante dënimin në arrest shtëpie për arsye shëndetësore.

Vendimi u justifikua me shkeljet e përsëritura të kushteve dhe përpjekjet për arratisje.

Ndër të tjera, Bolsonaro kishte dëmtuar byzylykun elektronik me një hekur saldimi natën para arrestimit të tij.