Alphonse Mucha, na ngërthen dhimbshëm në “Një përrallë dimri”
Kontakti i parë me këtë pikturë është një goditje shqisore e menjëhershme: një ndjesi ngjethjeje që përzien frikën, dhimbjen dhe një ankth të heshtur, thuajse instinktiv. Nuk është një frikë e bujshme, por ajo frikë e ftohtë që të përshkon kur ndihesh i pambrojtur përballë një force më të madhe se vetja. Të duket sikur, për ta kuptuar vërtet këtë vepër, duhet të dalësh vetë në një natë dimri si kjo, të ecësh mes errësirës, nën degët e ngrira, dhe ta lejosh trupin dhe mendjen të përjetojnë ashpërsinë që piktura vetëm sa e sugjeron.
“Një përrallë dimri” e Alphonse Mucha-s vjen si një përjashtim i fuqishëm brenda universi të tij të njohur artistik. Mucha, mjeshtër i Art Nouveau-së, njihet për elegancën dekorative, për femrat e tij të hijshme, të rrethuara nga ornamente floreale, linja të buta dhe një sensualitet poetik. Por këtu, romantizmi zbukurues zbehet dhe lë vend për një skenë të zhveshur nga rehati estetike. Bukuria nuk zhduket, por shndërrohet në diçka të ashpër, të tensionuar, ku estetika shërben për të thelluar ndjenjën e rrezikut dhe të brishtësisë njerëzore.
Nata e errët, pemët e ngrira, bora që mbulon gjithçka si një qefin i heshtur, krijojnë një atmosferë që i përket një bote përrallore, por jo asaj të fëmijërisë së qetë. Kjo është përralla e errët, ajo që vjen përpara fundeve të lumtura, ku personazhet duhet të kalojnë provën më të vështirë. Këtu përballen dy përmasa: shpirti i dimrit, i madh, i pamëshirshëm, pothuaj mitik, dhe qenia njerëzore, e vogël, e ekspozuar, e detyruar të ecë përpara.
Prania e fëmijës, të mbështjellë fort në petkat dhe në kraharorin e gruas, e zhvendos veprën nga një skenë e thjeshtë mbijetese në një dramë thellësisht njerëzore. Ky detaj e ngarkon pikturën me një intensitet emocional të veçantë. Gruaja nuk është më vetëm një figurë e humbur në natë, por një nënë, një mbrojtëse, një trup i gjallë që bëhet strehë kundër të ftohtit, frikës dhe vdekjes së mundshme.
Sytë e saj janë qendra magnetike e kompozimit. Ata janë të mëdhenj, të hapur, të gozhdojnë shikimin e vëzhguesit. Nuk ka lutje në to, por as dorëzim. Janë sy të mbushur me frikë dhe pasiguri, por edhe me një vetëdije të dhimbshme: ajo e di rrezikun, e ndjen peshën e natës dhe të dimrit, por nuk ka luksin të ndalet. Këta sy i japin pikturës një shtresë narrative të fuqishme, duke e shndërruar atë në një histori për mbrojtjen, sakrificën dhe dashurinë që vihet në provë në kushtet më ekstreme.
Fëmija, i fshehur dhe i mbrojtur, bëhet simbol i jetës që këmbëngul të vazhdojë. Ai përfaqëson shpresën, të ardhmen, atë që ende nuk flet, por që duhet shpëtuar me çdo kusht. Gruaja, nga ana tjetër, mishëron figurën amësore arketipale: ajo që sakrifikon trupin, ngrohtësinë dhe sigurinë e vet për të ruajtur tjetrin. Ndërsa dimri, me gjithë peizazhin e tij të ngrirë, shfaqet si metaforë e botës armiqësore, e fatit të pamëshirshëm, e provave që jeta vendos përpara njeriut.
Kontrasti mes ngrohtësisë së marrëdhënies nënë-fëmijë dhe ftohtësisë absolute të ambientit e përforcon mesazhin qendror të veprës: jeta nuk triumfon duke mohuar vdekjen, por duke e përballur atë. Dashuria këtu nuk është sentimentale, por rezistente. Ajo nuk ngroh botën, por mjafton për të mbajtur gjallë atë që është më i brishtë.
Në një lexim mitologjik ose alegorik, skena evokon rrëfime të shumta të traditës evropiane, ku figura amësore përshkon territore të errëta për të shpëtuar një fëmijë të pafajshëm. Kujton përrallat e errëta të Hans Christian Andersen-it, ku dimri është provë shpirtërore, ose mitologjitë sllave, ku natyra shfaqet si forcë e gjallë, shpesh armiqësore, që kërkon respekt dhe sakrificë. Dimri nuk është thjesht stinë, por gjendje ekzistenciale.
Nëse Mucha ka dashur të krijojë një “përrallë dimri”, atëherë kjo nuk është një tregim për rehati apo magji shpëtuese, por për dashurinë e pakushtëzuar dhe guximin e heshtur. Është historia e atij që ecën përpara jo sepse është i fortë, por sepse mban përgjegjësi për dikë më të dobët se vetja. Pikërisht për këtë arsye, vepra e tejkalon kohën dhe stilin e saj, duke u shndërruar në një imazh universal të rezistencës njerëzore përballë ftohtësisë së botës.
Përgatiti: Albert Vataj


