GËZUAR NGA “ORANEWS.TV”! Gëzimi i Krishtlindjes depërtoftë në thellësi të zemrave që duan ta ndjejnë dritën që buron prej tyre

Sipas Kishës katolike, besimtarët nuk duhet të vonohen asnjë çast, kur është fjala për të ndihmuar njeriun, që vuan, po duhet mishëruar Dashurinë Hyjnore në gjestet tona të bamirësisë njerëzore, për të rrezatuar Dritën e Jezusit Foshnje.

Krishtlindja është festë e shenjtë kristiane, vlera fetare e së cilës nuk duhet të përvetësohet nga aspektet e jashtme”. Me këtë mendim e përcaktim besimtarët dhe krishterë e kremtojnë Natën e Shenjtë të Mishërimit të Zotit, Lindjen e Jezu Krishtit. Festa e Krishtlindjen na rrëfen për Amshimin, që hyn në kufijtë e kohës e të hapësirës; për Hyjin që, për dashuri, kalon përmes grazhdit të Betlehemit, duke u ulur aq, sa të bëhet i ngjashëm me njeriun. Po sot nuk duhet të harrojmë se Krishtlindja kërcënohet nga rreziku i kremtimit në mënyrë sipërfaqësore, konsumizmi, pa hyrë në shpirtin e në thelbin e saj të vërtetë.

E, duke kujtuar shprehjen “Gëzuar Krishtlindjen”, që këto ditë është në gojën e gjithë të krishterëve të botës, të përpiqemi që, edhe në shoqërinë aktuale, shkëmbimi i urimeve të mos e humbasë vlerën e thellë fetare e festa të mos thithet nga aspektet e jashtme, që prekin kordat e zemrës.

Natyrisht, shenjat e jashtme janë të bukura, të rëndësishme, në se nuk të pengojnë por, përkundrazi, të ndihmojnë ta jetosh Krishtlindjen në kuptimin e saj më të vërtetë: kuptimin e shenjtë e të krishterë, në mënyrë që edhe gëzimi, i cili buron nga

festa, të mos mbetet në sipërfaqe, po të hyjë në thellësi të zemrave tona.

Po, si mund të hyjë sot festa e madhe e Krishtlindjes në thellësi të shpirtit?

Çdo herë kur dy njerëz e falin njëri tjetrin, ndodh Krishtlindja.

Çdo herë kur e tregoni mirëkuptimin për fëmijën tuaj, ndodh Krishtlindja.

Çdo herë kur dikush vendoset të jetojë në mënyrë të ndershme, ndodh Krishtlindja.

Çdo herë kur lind një fëmijë, ndodh Krishtlindja.

Çdo herë kur mundohesh t’ia japësh jetës sate kuptimin e ri, ndodh Krishtlindja.

Çdo herë kur e shikon dikë me sy të zemrës, me buzëqeshje, ndodh Krishtlindja.

Sepse kështu lind dashuria. Kështu lind paqja. Kështu lind drejtësia.

Kështu lind shpresa. Kështu lind gëzimi. Kështu lind Krishti Zot.

Ndize, pra dritën e paqes e dritën e shpresës për të gjithë: për familjet, që mezi arrijnë të sigurojnë një jetë dinjitoze, për njerëzit që e kalojnë festën në burg, në spital në vetmi e në harresë.

Ndize dritën tënde, për të pritur Krishtin, që është Dritë, duke ndenjur zgjuar pranë Marisë, që në heshtje të thellë pret, bashkë me fatin e vet Jozefin, të përmbushet premtimi i kahmotshëm që Krishti të lindë edhe në zemrat tona!

MOT GËZUAR NGA REDAKSIA E LAJMEVE “ORANEWS.TV”!

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by ORA NEWS (@oranews.one)