Nga New Yorku në Prishtinë, artisti Alkan Nallbani sonte prezanton punimet e tij

“Yellow Spots in the Black Box” titullohet ekspozita personale e artistit shqiptar, Alkan Nallbani, e cila hapet sonte në Open Art Gallery, në Prishtinë.

Artisti i cili jeton dhe vepron në New York, sjell një çast ku ndjesia takon formën dhe fryma artistike zgjohet, për të festuar së bashku artin, kohën dhe emocionin që na bashkon.

Me kuratorë: Ardian Isufi dhe Elton Koritari, “Yellow Spots in the Black Box” frymëzohet nga një tension poetik: njolla drite që shfaqen brenda një hapësire të errët, të mbyllur, e të pakapshme.

Alkan Nallbani përdor stigmat piktorike si shenja të jetës, kujtesës, energjisë dhe zbulimit, ndërsa kutinë e zezë si objekt metaforik “pinholi” që shfaqet si subjekt në brendësinë e njeriut, për realitetet e fshehura, për universet që ekzistojnë përtej shikimit të menjëhershëm.

Kjo ekspozitë e konceptuar për “2-vjetorin e Open Art Gallery” vendos theksin mbi procesin e kërkimit të dritës në shtresat e errëta të perceptimit dhe përvojës kohore. Pra, është një eksplorim i momenteve të vogla inkandeshente piktorike që mbijetojnë brenda thellësive të padukshme.