Homazh për mikun dhe diplomatin e rrallë, Ali Mato!

Jorgji KOTE

Si bombë na ra  lajmi i hidhur mbi shuarjen më 16 Dhjetor të shokut, mikut, kolegut diplomat dhe mbi të gjitha njeriut të mirë, të ndjerit Ali MATO!

E lexova me një frymë dhe me shumë dhimbje njoftimin e ndjerë  te DITA. Zakonisht kur ikin njerëzit nga kjo jetë, thuhen dhe shkruhen fjalë të mira. Por në këtë rast,  asnjë fjalë në atë dedikim nuk ishte e tepërt, përkundrazi. Dhe kjo falë jetës së tij të pastër, të pasur dhe plot personalitet që Aliu i ndjerë kishte dhe rrezatonte në çdo rast.

Dhe kjo kudo, jo vetëm në takime dhe biseda miqësore, por edhe në momentet më të tensionuara, kur të tjerët i kapte droja, paniku, zemërimi apo dhe kur humbisnin toruan.  Aliu ishte atje me qetësinë e tij olimpike, me modesti, me butësinë dhe urtësinë e tij tipike vlonjate; të jepte dorën,  të jepte kurajo, mos u mërzit të thoshte, hajde se një kafe të bën mirë dhe gjithçka kalonte.

Kur shkruaj këto fjalë kam parasysh sidomos situatën e tensionuar pas vitit 1978 kur u njoha dhe u bëra më shumë se koleg me të; ai në Ndërmarrjen e atëhershme të Mineralimpeks, ndërsa unë në Drejtorinë e Koniukturës dhe Çmimeve në ish Ministrinë e Tregtisë së Jashtme. Ishin 14 vite bashkë, kohë e gjatë, sidomos po të kemi parasysh intensitetin e jashtëzakonshëm të punës, takimet, eventet, delegacionet, sfidat e shumta në punën tonë të përditshme deri në hapjen dhe ardhjen e pluralizmit politik dhe më tej.

Në atë periudhë, pas ngjarjeve tashmë të njohura që prekën dhe goditën  ekonominë dhe tregtinë e jashtme, kjo e fundit bashkë me  6 ndërmarrjet e saj përgjigjeshin për eksportin dfhe importin e mallrave, vendimtare për fatet e ekonomisë sonë. Ca më tepër kur ishim prishur edhe me Kinën  me pasojat tashmë të njohura negative.

Aliu, ndryshe nga shumë të tjerë në atë kohe erdhi në Mineralimpeks i ri në moshë, por me një stazh disa vjeçar në ndërmarrjet e naftës, atje në bazë, në terren. E njihte naftën, hidrokarburet, se kishte studiuar dhe kishte punuar me pasion rinor dhe profesional, në terren dhe  në institute kërkimore në bazë.

Veç kësaj, ai dallonte nga të tjerët, se falë vullnetit të paepur, përvetësoi në kohë rekord anglishten, frëngjishten dhe italishten. Tejet të rëndësishme dhe jetike në atë kohë. Shumë të tjerë ishin prapa në këtë drejtim, ndaj u detyruam të çelnim kurse të mësimit të anglishtes dhe frëngjishtes, mbasi ishte e pamundur të vazhdohej pa ditur të paktën anglisht me partnerët tanë të huaj tanimë edhe perendimorë.

Më vonë, Aliun e emëruan Këshilltar Tregtar në Ambasadën tonë në Egjipt, ku ai punoi për shumë vite me pasion dhe profesionalizëm të vlerësuar. Aty mësoi më shumë edhe për  diplomacinë, sidomos atë ekonomike. Në fakt, edukata dhe natyra e tij i përshtateshin shumë karakterit të egjiptianëve,  çka ishte  vlerë e madhe e shtuar e punës së tij disavjeçare në Kajro dhe në Riad më vonë.

Por natyrisht më shumë e kam njohur kur Aliu ishte specialist dhe pastaj kryetar i Degës më të rëndësishme të Mineralimpeksit.  Ky i fundit që më vonë u nda  Mineraleksport dhe Metalimport ishte si të thuash “  zemreku” i ekonomisë dhe tregtisë sonë të jashtme; prej rezultateve të punës së tij  vareshin sigurimi i gjysmës të të ardhurave tona, kryesisht  nga eksporti i mineralit të kromit dhe nënprodukteve të naftës. Pikërisht këtë sektor  drejtoi për disa vite me sukses dhe shumë përgjegjësi Aliu.

Ndaj Mineraleksporti ishte në qendër të kritikave, qortimeve dhe pritshmërive nga ata lart fare te njerëzit poshtë në bazë. Kësisoj, na linte të gjithëve  mbresa të thella ai njeri në mbledhjet dhe analizat e gjata kritike që bëheshin në Ministri, ku jepej lllogari deri në një dhe ku kërkoheshin pse jo edhe  ” koka turku” për të mbuluar dhe justifikuar dështimet dhe dobësitë. “Kromi dhe nafta çan bllokadën”! Kjo parrullë e ditës na “rrinte te koka si  shpata e Demokleut”.

Si në ato mbledhje, dhe në çdo rast tjetër, Aliu, fliste shkurt, qartë, nxirrte problemin dhe masat që kërkoheshin. Pa ngut, pa nxitim, përherë i qetë dhe bindës. Edhe pas atyre takimeve, apo kur kritikohej, kur dilnim nga mbledhjet ai vinte e na takonte dhe përshëndeste me buzëqeshjen e tij të pandarë, me përulje, duke qetësuar shokët e kritikuar, se ai ishte qortuar shumë më rëndë se ata, por do të kalojë.  Ndërsa me shefat dinjitoz, i sjellshëm, korrekt por pa termenara dhe lepe peqe. Një Zotni i vërtetë qytetar me integritet moral absolut! Pikërisht falë vetive dhe virtyteve të tij njerëzore por edhe profesionale, kushdo donte ta kishte mik, se Aliu të bënte për vehte me mirësinë dhe njerzllëkun e tij të lindur.

Sa herë shkonim për punë  atje si kolegë, sa na shihte, ngrihej në këmbë, linte tryzezën e punës, shprehte kënaqësi dhe pas raportimeve të shifrave dhe fakteve na ftonte për kafen miqësore të punës. Ndahesim me humor, me shaka ”na lutej të mos ia skuqnim shumë ” raportin te shefat dhe qeshnim.

Shkurt, ta kishte ënda të shiheshe me Aliun, të kuvendoje, për punën, për jetën, për familjen, shoqërinë, me aq sa na e lejonte koha. Edhe nga Kajro ku qëndroi me vite  e gjente mënyrën të na përshëndeste, me një telefonatë të shkurtër, me teleks, ndërsa kur vinte me pushime ose për punë mblidheshin sipas traditës tonë atje te ”Tajvani” apo edhe te kafeneja modeste e ndërmarrjeve të tregtisë së jashtme, aty ku sot është Gjykata Kushtetuese.

Këto tipare karakteri dhe profesionalizmi Aliu i shfaqi si diplomat i lindur do të thoshja pa tepërim në Ministrinë e Jashtme kur drejtonte sektorin që mbulonte Europën Perendimore dhe vendet arabe si dhe në Riad, ku për ca kohë drejtoi  Ambasadën tonë atje.  Sa herë ndesheshim rrugës apo në zyra ne ato vite të vështira, kujtonim me nostalgji bashkëpunimin dhe miqësitë tona.

Pastaj pas vitit 1997, erdhën kohëra të tjera, u ndamë në punëra dhe misione të ndryshme por gjithsesi nuk u harruam.

Se Aliu ishte nga ata njerëz që sa më shumë kalon koha dhe largohesh në distancë, aq më shumë e ndjen nevojën e shoqërisë, të një sugjerimi apo këshille prej tyre, përherë me dashamirësi dhe përgjegjësi shoqërore, shumë më e lartë se ajo zyrtare. Ndaj dhe na dukej se kishim qenë përherë bashkë dhe pranë Aliut dhe kur takoheshim pas viteve të tëra mungese ose përshëndeteshim nëpërmjet miqve dhe kolegëve tanë. Se janë vlerat e përbashkëta që i lidhin dhe miqësojnë  njerëzit dhe që sfidojnë kohën, distancat, largësitë.

Aliu ishte edhe humanist dhe filantrop po  aq i spikatur. Veçse këtë e bënte pa zhurmë, pa bujë, pa u dukur dhe pa u dëgjuar. Me vonesë  mësuam për angazhimin, ndihmesën dhe bujarinë e tij të madhe të treguar edhe gjatë periudhës së luftës dhe krizës në Kosovë, kur u erdhi në ndihmë dhjetra familjeve të Kosovës në hall dhe në nevojë. Por, kush e di se sa ndere dhe favore të tjera ka bërë Aliu i ndjerë kudo ku ka shërbyer me pasion dhe entusiazëm, por fare pak e dinë, ky ishte Aliu i thjeshtë, fjalëpak, modest dhe fisnik i vërtetë!

Ja pse ikja e Aliut krijon një mal me dhimbje dhe trishtim për familjen e tij të shtrenjtë, për të cilën ai dha dhe bëri gjithçka. Qysh kur e njoha gati 5 dekada më parë të ri dhe deri  vonë, kam parë se ai ishte si djalë, vëlla, bashkëshort, baba shembullor dhe familjar shembullor, krenari për familjen.

Ali Mato ka një javë që ka shkuar lart te ëngjëjt; emri, kujtimi dhe trashëgimia e tij profesionale janë të pashlyeshme për të gjithë ata që fati ua solli të njiheshin dhe të miqësoheshin me atë njeri dhe mik të rrallë.

Ai do të na  mungojë të gjithëve fizikisht shumë, por fryma dhe  shpirti i tij do të vazhdojnë të ndriçojnë familjen e  dashur dhe miqtë e tij me urata dhe bekime.

Të qoftë dheu i lehtë, Ali Mato, mik dhe koleg i paharuar, u prehtë në paqe shpirti yt bujar!/Gazeta Dita