Përgatitja e fundit për 22 dhjetorin/ Balliu: Qëllimi i protestës është hapja e rrugës për një qeveri teknike

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, deklaroi në një lidhje të drejtpërdrejtë në “Ora News” se protestat kundër qeverisë kanë si qëllim kryesor shkarkimin e Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie teknike, duke akuzuar mazhorancën për përfshirje të strukturave shtetërore në krim të organizuar.

" Protesta e ka qëllimin e qartë, tanimë duke iu referuar skandaleve të fundit të kësaj qeverie, që kanë faktuar praktikisht që Shqipëria tashmë është një narko-shtet, sepse kur segmentet më të rëndësishme të sigurisë kombëtare janë të inkriminuara siç u vërtetua në rastin e AKSH-it apo të Drejtorisë të Krimeve Kibernetike, ku bashkëshorti i drejtoreshës ishte shofer i Ergys Agasit, atij që njihet si koordinator i kerimit të organizuar që tanimë është në arrati.

Në një situatë të tillë nuk mund të ketë asnjë kërkesë tjetër përveç shkarkimit të Edi Ramës dhe të gjithë qeverisë së tij, hapjen e rrugës për një qeveri teknike,një qeveri e cila do të mund të shkonte dhe të çonte vendin në zgjedhje të lira dhe të ndershme, ç'ka do të kthente normalitetin dhe do të kthente vendin në shinat e demokracisë", u shpreh Balliu.