KURTI: ISHIN TË PADREJTA/ Kryeministri në detyrë mirëpret vendimin e BE-së për heqjen e masave për Kosovën

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka mirëpritur heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës. Kreu në detyrë i qeverisë tha se masat ishin të padrejta që nga dita e parë. Kurti fajësoi edhe opozitën për dëmet më të mëdha financiare ndaj Kosovës.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përshëndetur vendimin e Bashkimit Evropian për heqjen e masave ndaj Kosovës, duke theksuar se ato ishin të padrejta që në ditën e parë dhe se institucionet e vendit nuk ishin shkaktare të eskalimit të situatës në veri.

Në mbledhjen e Qeverisë në detyrë, ai rikujtoi sulmet e rënda ndaj Kosovës, përfshirë atë në Banjskë më 24 shtator 2023, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, si dhe sulmin në kanalin Ibër-Lepenc në nëntor të vitit 2024.

Megjithatë, Kurti nuk la pa kritikuar opozitën parlamentare, duke thënë se masat më të mëdha financiare Kosova nuk i ka pësuar nga Bashkimi Evropian, por nga opozita.

Në fund, Kurti ritheksoi përkushtimin e Kosovës ndaj integrimit evropian dhe shprehu shpresën që, pas zgjedhjeve dhe konstituimit të Kuvendit, të hiqen të gjitha pengesat për zhvillimin dhe avancimin e vendit.