KAPET SHPËRNDARËSI I “XHELATINËS”/ Policia e Tiranës arreston 23-vjeçarin që shiste k*nabis të trafikuar nga Kanadaja
Policia e Tiranës arrestoi një 23-vjeçar pasi iu gjet mbi 1 kg kanabis në formë xhelatine, i dyshuar se ishte trafikuar nga Kanadaja për t’u shitur në lokale. Në një tjetër operacion, u vu në pranga edhe një 24-vjeçar që transportonte me valixhe një kallashnikov me municion, me qëllim shitjen.
Kanabisi në formë xhelatine, një variant i përpunuar dhe i shtrenjtë i lëndës narkotike, u zbulua sërish.
Një 23-vjeçar u arrestua pasi iu gjetën 1 kg e 54 gramë kanabis në trajtë xhelatine, gati për t’u shpërndarë në doza.
I riu, i identifikuar si Domeniko Cibaku, banues në Dibër, u kap në rrugën 5 Maji.
policia sekuestroi lëndën narkotike, e cila sipas hetimeve dyshohet se kishte ardhur me postë nga Kanadaja drejt Shqipërisë dhe kishte një vlerë rreth 10 mijë euro.
Droga pritej të shitej në lokale të zonës ku u bë arrestimi.
Burime policore bëjnë me dije se 23-vjeçari nuk ka precedentë penalë, por është përdorues i lëndëve narkotike dhe dyshohet se vepronte me ndihmën e një personi tjetër, i cili është shpallur në kërkim.
Ndërkohë, në një tjetër goditje, policia arrestoi edhe një 24-vjeçar në kuadër të operacionit të koduar “Luggage”.
Hysen Marku u kap në afërsi të terminalit të autobusëve, në rrugën Kastriotët, teksa transportonte në një valixhe një armë zjarri kallashnikov me municion, me qëllim shitjen.
Policia vijon hetimet për të zbardhur rrjetet e shpërndarjes së drogës dhe destinacionin e armës së zjarrit.
