Ç’ka ndodhur në Sarandë? Shpohen gomat e disa automjeteve gjatë natës, nisin hetimet
Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur gjatë orëve të mesnatës së të shtunës në qytetin e Sarandës, ku disa automjete të parkuara janë dëmtuar nga persona ende të paidentifikuar.
Sipas informacionit paraprak, incidenti është regjistruar në lagjen nr. 4, në zonën e njohur si magazinat e peshkimit, ku përgjatë një segmenti rruge ishin parkuar mjete në pronësi të banorëve të zonës. Autorët kanë dëmtuar gomat e rreth tetë automjeteve, duke i shpuar ato.
Policia është njoftuar disa orë më vonë nga një prej pronarëve të mjeteve dhe ka mbërritur menjëherë në vendngjarje për të kryer veprimet e para hetimore. Nga verifikimet rezulton se gomat e automjeteve kishin nga një ose dy çarje.
Grupi hetimor dyshon se ngjarja mund të jetë kryer nga një ose disa persona nën efektin e alkoolit, ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Materialet i janë referuar strukturave përkatëse të Policisë së Sarandës për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

