5 ORË BALLAFAQIM/ 10 mijë faqe dosja për imunitetin, shtyhet seanca në Kuvend për mandatin e Ballukut

Pas 5 orësh ballafaqimi, është shtyrë mbledhja e Këshillit të Mandateve për heqjen e imunitetit për numrin dy të qeverisë, Belinda Balluku.

Megjithatë, ende nuk ka një datë se kur do të mbahet mbledhja e radhës.

Avokati i Ballukut kërkoi 3 javë kohë, për t’u njohur me provat e SPAK.

Nga ana tjetër, prokurorët e posaçëm deklaruan në mbledhje se do ishte e mjaftueshme deri në 5 ditë.

Deputetët do të marrin USB me prova me vete ne shtëpi nën firmën e ruajtjes se konfidencialitetit dhe sekretit hetimor.

Janë mbi 10.000 faqe prova qe do te analizojnë deputetët për të përgatitur relacionin drejtuar seancës.

Kërkesa e prokurorëve të çështjes për heqjen e imunitetit të Ballukut, u paraqit në parlament menjëherë pasi Gjykata Kushtetuese pezulloi vendimin e GJKKO, duke rikthyer në detyrë zv/kryeministren.

Një ditë më parë edhe Apeli i Posaçëm vendosi qëndrimin e saj në detyrë deri në shqyrtimin në themel nga Kushtetuesja.

Kuvendi ka një afat kohor 3 muaj për të vendosur mbi kërkesën e SPAK dhe autorizimin.

Me përfundimin e diskutimit dhe shqyrtimit të kërkesës, ky Këshill ka kohë 2 javë për të hartuar raportin e për tia kaluar seancës për votim, ku merr vulën përfundimtare. Vendimi për heqjen ose jo të imunitetit kërkon shumicë të thjeshtë votash, minimumi 71 votash.

Por në rast se Kuvendi nuk e shqyrton kërkesën në harkun kohor të 3 muajve, atëherë kërkesa e SPAK konsiderohet e rrëzuar.

Menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Mandateve, deputeti i PD-së, Gazmend Bardhi dha një prononcim për mediat.

Gazment Bardhi:

Kemi kërkuar sipas rregullores së Kuvendit, Kushtetutës së republikës së Shqipërisë, që mbledhja e sotme të ishte transparente për qytetarët, me përfaqësuesit e medias në mbledhjen e këshillit dhe e hapur për opinionin publik.

Sigurisht duke lënë të mundshëm opsionin që sa herë prokuroria të çmonte që do të informonte anëtarët e këshillit të rregullores për një çështje që e çmojnë si sekret hetimor, ne të ndërprisnim mbledhjen dhe të largonim median nga mbledhja.

Ky ka qenë diskutimi i parë që kemi bërë, për të shmangur çdo keqkuptim mbi qëndrimet e secilit anëtar në mbledhje dhe së dyti si pasojë e llogaridhënies që deputetët do të duhet ti japin qytetarëve për qëndrimet e tyre.

Sot nuk kemi diskutuar asnjë çështje që përbën sekret hetimor, por vetëm procedurë, nëse deputetët kishin apo të drejtë të kishin dosjen e plotë të sjellë nga SPAK. Ajo që anëtarët e opozitës kishin thënë prej ditësh, u konfirmua nga PSAK, sipas ligjit çdo anëtar duhet të ketë dosjen e plotë bashkë me USB-në që Peleshi e ka kyçur në një kasafortë që nuk dimë ku ndodhet.