KAOS NË BANGLADESH/ Nisin protestat, shkak vdekja e liderit të lëvizjes rinore Sharif Osman Hadi
Protesta të dhunshme kanë shpërthyer në Bangladesh pas vdekjes së liderit të lëvizjes ronore Sharif Osman Hadi. Qeveria ka shpallur ditë zie kombëtare, ndërsa autoritetet dhe kryeministri i përkohshëm Muhammad Yunus bëjnë thirrje për qetësim të situatës përpara zgjedhjeve të shkurtit.
Protesta të dhunshme kanë shpërthyer në Bangladesh pas vdekjes së Sharif Osman Hadi, një lider i njohur i lëvizjes rinore që luajti rol kyç në rrëzimin e ish-kryeministres Sheikh Hasina në vitin 2024.
Hadi ndërroi jetë në një spital në Singapor, një javë pasi ishte qëlluar nga persona të maskuar në Dhaka.
Ai planifikonte të kandidonte si i pavarur në zgjedhjet e shkurtit, të parat që do të mbahen pas largimit të Hasinës nga pushteti.
Pas lajmit për vdekjen e tij, protestuesit dogjën zyrat e dy gazetave më të mëdha të vendit, The Daily Star dhe Prothom Alo.
Për herë të parë në 35 vite, The Daily Star nuk arriti të botojë edicionin e saj të shtypur për shkak të dëmeve të rënda.
Gazetarë mbetën të bllokuar në ndërtesë dhe u shpëtuan vetëm pas ndërhyrjes së ushtrisë.
Protestat sipas skenarit janë në vijim, ndërsa trupi i Hadit pritet të kthehet në Dhaka mbrëmjen e premtes.
Qeveria e ka shpallur ditë zie kombëtare.
Kryeministri i përkohshëm, Muhammad Yunus, e quajti vdekjen e Hadit “një humbje të pariparueshme për kombin” dhe u bëri thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë.
Megjithatë, shumë protestues po kërkojnë një qeveri revolucionare, duke rritur shqetësimet për sigurinë dhe stabilitetin përpara zgjedhjeve të ardhshme.

