Trump i kërkon Ukrainës të lëvizë shpejt për t’i dhënë fund konfliktit
Presidenti amerikan, Donald Trump i kërkoi Ukrainës të lëvizë shpejt në negociatat mbi një plan për t’i dhënë fund konfliktit me Rusinë.
”Negociatorët janë afër arritjes së një qëllimi, por shpresoj që Ukraina të lëvizë shpejt. (…) Sa herë që zgjasin shumë, atëherë Rusia ndryshon mendje”, tha presidenti amerikan gjatë një konference për shtyp në Zyrën Ovale.
Një takim midis të dërguarve rusë dhe amerikanë mbi luftën në Ukrainë do të zhvillohet këtë fundjavë në Miami, Florida.
Shtëpia e Bardhë nuk dha asnjë detaj mbi përbërjen e delegacioneve.
Sipas ”Politico”-s, Shtetet e Bashkuara do të përfaqësohen nga i dërguari i saj në Ukrainë, Steve Witkoff, dhe dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner, ndërsa Rusia pritet të dërgojë të dërguarin e saj ekonomik, Kirill Dmitriev.
Ky raund i ri bisedimesh do të vijë pasi Volodymyr Zelensky vuri në dukje përparime drejt një kompromisi midis Kievit dhe Uashingtonit mbi përmbajtjen e një plani që do t’i propozohet Moskës për t’i dhënë fund luftimeve, pas takimeve në Berlin midis zyrtarëve amerikanë, ukrainas dhe evropianë.
Megjithatë, presidenti ukrainas paralajmëroi se Rusia po përgatitej, sipas tij, për një tjetër “vit lufte” në vitin 2026.
Nga ana e tij, presidenti rus Vladimir Putin pohoi të mërkurën se objektivat e ofensivës së tij në Ukrainë “padyshim do të arrihen”.
Detajet e planit amerikan, të rishikuar në Berlin me ukrainasit, nuk dihen ende, por Kievi ka treguar se ai përfshin lëshime territoriale.
Dokumenti origjinal i Uashingtonit u perceptua nga Kievi dhe evropianët si kryesisht mbështetës i qëndrimit të Kremlinit.

