SHBA sanksionon gjyqtarë të ICC-së që hetuan Izraelin, reagon gjykata

Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan sot sanksione që synojnë dy gjyqtarë të tjerë të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC) të cilët kanë hetuar Izraelin, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu, i cili është subjekt i një urdhërarresti, lëshuar nga kjo gjykatë që nga nëntori i vitit 2024.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, në një njoftim për shtyp, justifikoi vendimin për sanksionet duke theksuar se dy gjyqtarët e goditur së fundmi kishin votuar së bashku me shumicën e gjykatës për të refuzuar një kërkesë të Izraelit, i cili kontestonte kompetencën e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për të hetuar krimet e dyshuara gjatë luftës në Rripin e Gazës kundër Hamasit.

Gjykata Ndërkombëtare Penale hodhi poshtë sot vendimin e SHBA-së për sanksionet ndaj dy gjyqtarëve, duke theksuar se kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është objekt i një urdhërarresti të lëshuar nga gjykata që nga nëntori 2024.

”ICC refuzon fuqishëm sanksionet e reja amerikane ndaj gjyqtarëve Gocha Lordkipanidze (Gjeorgji) dhe Erdenebalsuren Damdin (Mongoli)”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Hagës.

Këto sanksione vijnë pas atyre të mëparshmeve që goditën nëntë magjistratë dhe prokurorë të ICC-së.

”Këto sanksione përbëjnë një sulm të hapur ndaj pavarësisë së një institucioni gjyqësor të paanshëm, i cili operon sipas mandatit të dhënë nga shtetet pjesëmarrëse”, tha gjykata.

Gjykata gjithashtu deklaroi se do të vazhdojë të ushtrojë mandatin e saj me pavarësi dhe paanshmëri, në përputhje të plotë me Statutin e Romës, dokumentin e saj themelor.

SHBA-ja  theksoi se këto masa janë pjesë e një strategjie për të kundërshtuar hetimet ndaj Izraelit dhe janë vendosur pas votimit të gjyqtarëve për të mbrojtur kompetencën e gjykatës për çështjet që lidhen me krimet e pretenduara gjatë konflikteve në Rripin e Gazës.