Marrëveshje gjermano-izraelite për sistemin e raketave “Arrow 3”

Izraeli dhe Gjermania kanë nënshkruar zyrtarisht një marrëveshje për një sistem më të zgjeruar të mbrojtjes së raketave “ Arrow 3”, pasi marrëveshja u miratua një ditë më parë nga Bundestagu gjerman, njoftoi Ministria izraelite e Mbrojtjes, sipas Reuters.

Gjermania  bleu fillimisht sistemin “Arrow” në vitin 2023, duke e konsideruar kërcënimin kryesor raketat me rreze të mesme të Rusisë ndaj popullsisë dhe infrastrukturës së saj kritike.

Marrëveshja e zgjeruar i shton kontratës rreth 3,1 miliardë dollarë, duke e çuar vlerën totale të programit “Arrow 3” për Gjermaninë në mbi 6,7 miliardë dollarë.

Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në Gjermani dhe u drejtua nga kreu i Organizatës së Mbrojtjes nga Raketat në Ministrinë izraelite të Mbrojtjes, Moshe Patel, dhe shefja e zyrës federale gjermane për prokurimet e mbrojtjes, Annette Lehnigk-Emden. Në ceremoni morën pjesë edhe përfaqësues të të dy Ministrive të Mbrojtjes dhe të kompanisë “Israel Aerospace” Industries (IAI).

Marrëveshja vjen pas dorëzimit, më herët këtë muaj, të baterisë së parë “Arrow 3” në Gjermani, ndërsa Berlini po përshpejton investimet në mbrojtjen ajrore dhe raketore përballë kërcënimit që paraqet Rusia.

Në dhjetor, Gjermania u bë vendi i parë evropian që vendosi sistemin e mbrojtjes ajrore “Arrow”, i projektuar për të interceptuar raketa balistike me rreze të mesme, siç është “Oreshniku” rus, në përpjekje për t’iu kundërvënë asaj që e sheh si një kërcënim në rritje nga Moska.