Ilir Meta pyetet sot nga SPAK për ngjarjet e 21 Janarit
Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta do të pyetet sot nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me hetimet për 21 Janarin.
Vetë Meta iu drejtua SPAK me kërkesë që ta thërriste për të dhënë shpjegime lidhur me ngjarjen, pasi për shkak të posteve që ka mbajtur, pretendon se ka të dhëna që mund ti shërbejnë hetimit.
Çështja "21 janari"
Më 21 janar 2011, në një protestë të organizuar nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë, u vranë nga Garda e Republikës 4 protestuesit Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda dhe Aleks Nika. Kryeministri i kohës, Sali Berisha deklaroi se opozita kishte përgatitur një "grusht shteti" për të rrëzuar qeverinë, ndërsa opozita akuzoi qeverinë se vrau 4 qytetarë të pafajshëm.
Në hetimin që u bë për vrasjen e protestuesve, të pandehur u morën Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia. Të dy të pandehurit u dënuan, ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg.
