PAMJET/ Medon Berisha jashtë fushës deri në shkurt, Kombëtarja nuk rrezikohet
Mesfushori shqiptar Medon Berisha do të mungojë për rreth pesë deri në gjashtë javët e ardhshme në Seria A, pas dëmtimit të pësuar në ndeshjen kundër Pisa-s.
Lojtari u detyrua të largohej nga fusha në mënyrë të menjëhershme për shkak të një dëmtimi muskulor, ndërsa u transportua me barelë, gjë që shkaktoi shqetësim te stafi teknik dhe tifozët.
Sipas raportit mjekësor të klubit verdhekuq, Berisha ka pësuar një dëmtim muskulor të shkallës së dytë, që pritet ta mbajë jashtë fushave për të paktën 45 ditë. Kjo do të thotë se rikthimi i tij mund të ndodhë jo më herët se muaji shkurt i vitit të ardhshëm.

Për pasojë, mesfushori do të mungojë në disa ndeshje kyçe, duke përfshirë sfidat ndaj Comos, Juventusit, Romës, Parmës, Interit, Milanit, Lazios dhe Torinos. Dëmtimi vjen në një periudhë shumë pozitive për futbollistin, i cili ishte shndërruar në një titullar të padiskutueshëm të ekipit italian.

Berisha më herët gjatë këtij sezoni ka fituar tri herë çmimin “Lojtari i Ndeshjes” në Serie A, duke dëshmuar formën e tij të mirë dhe rëndësinë për skuadrën. Në këtë sezon, mesfushori i Kombëtares shqiptare ka luajtur 13 nga 15 ndeshjet, duke kontribuar me 2 gola dhe 3 asistime, statistika që e rendisin ndër më efektivët e klubit.
Megjithatë, fatmirësisht talenti 22-vjeçar do të jetë në dispozicion të trajnerit Silvinjo për ndeshjet Play-off të Kombëtares shqiptare në rrugën drejt Kupës së Botës 2026.

