Partizani i Kërnajës është cinik, vetëm te një ndeshje bindi plotësisht për fitoren

Partizani i Oltijon Kërnajës është cinik. Këtë e tregojnë dhjetë javë ku tentativat për të shkuar te goli janë në balancë me të tjerët e Superiores, ndryshe nga më parë ku shfaqej inferioritet. Rivalët kanë festuar gjashtë gola, ndërsa Partizani dhjetë gola. Diferencë jo shumë e madhe, por që ka mjaftuar për ta parë Partizanin si i dyti më i mirë me numër pikësh pas Elbasanit të Gvozdenoviçit në këtë periudhë.

Në ndeshjen e kaluar, Flamurtari pati më tepër raste të rrezikshme se Partizani. Mund të thuhet se në pjesën e parë mungoi shënjestra te kuqezinjtë. Goli model i Isgandarlit dhe më pas Skuka nga penalltia bënë ndryshimin. E vetmja ndeshje që Partizani i Kërnajës ka bindur plotësisht dhe pa rrezikuar 3 pikët, është derbi me Tiranën.Fitorja 0 me 2 ishte e pastër dhe bardheblutë nuk u treguan një rrezik për “demat”.

Ndeshjet e tjera kanë pasur episode, që mund të ndryshonin fatet, si në favor dhe disfavor. Ky është niveli i futbollit shqiptar ku vështirë që një ndeshje të parashikohet. E njëjta gjë është pasqyruar edhe te Partizani. Një ekip i cili në momentin më të mirë, ia del të ngrihet dhe të shfaqet mbi disa të tjerë dhe tashmë është në garë për “Final Four”.