PAMJE/ “Fashion Kids” sjell pasarelë plot ngjyra për fëmijët në Lezhë
Sheshi i festave në qytetin e Lezhës u shndërrua në një pasarelë plot ngjyra, buzëqeshje dhe elegancë, gjatë aktivitetit “Fashion Kids”, një event i veçantë i kushtuar fëmijëve dhe artit të modës.
Fëmijët pjesëmarrës shkëlqyen në sfilatë me veshje elegante dhe plot stil, duke përcjellë emocione pozitive, energji dhe gëzim për të gjithë të pranishmit.
Me hapa të sigurt dhe buzëqeshje të sinqerta, ata krijuan një atmosferë festive dhe artistike, që u shoqërua me duartrokitje dhe entuziazëm nga publiku.
Aktiviteti u organizua nga Pallati i Kulturës “Dedë Ndue Lazri”, në bashkëpunim me Qendrën Kulturore të Fëmijëve “Gjergj Lacaj”, si një nismë për të promovuar kreativitetin dhe talentin e fëmijëve në komunitet. Veshjet, të realizuara me kujdes dhe dashuri nga kostumografja Lorena Malshi, i dhanë eventit një hijeshi dhe elegancë të veçantë.
Pasarela u shoqërua me këngë, argëtim dhe momente artistike, duke e kthyer këtë pasdite në një përvojë të paharrueshme për fëmijët dhe familjet e tyre.
Organizatorët falënderuan fëmijët, prindërit dhe të gjithë bashkëpunëtorët për kontributin e dhënë në realizimin e këtij aktiviteti, i cili solli magji dhe buzëqeshje në qytetin e Lezhës.

