Ndahen çmimet e festivalit mbarëkombëtar “Radiofest 2025”

Festivali mbarëkombëtar i radiove “Radiofest 2025” përmbylli edicionin e tij të 16-të, organizuar nga Radio Gjakova.

Gjakova u shndërrua në qendër të radiostacioneve shqiptare nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës.

Në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” u mbajt manifestimi përmbyllës ku u shpallën fituesit në garën për spot publicitar, raport radiofonik dhe reportazh që iu kushtua trashëgimisë kulturore.

Kështu vendi i parë për radioreportazh i takoi Radio Tiranës dhe autorit Jaho Margjeka, i dyti Radio Kosovës dhe i treti Radio Gjirokastrës. Në vendin e parë për raport radiofonik doli Radio Alba e Klinës, në të dytin Radio Lushnja dhe të tretin Radio Peja.

Ndërsa më të mirët në spote publicitare ishin Radio Plus (Prishtinë) me vendin e parë, pasuar nga Glam Radio (Prishtinë) dhe Radio Klea (Elbasan). Çmimi i organizatorit i takoi Radio Malit të Zi – seksionit shqip, Radio Prizrenit dhe Radio Ylberit (Mitrovicë).

Zëri më i mirë radiofonik i takoi Fitore Istrefi Alushi nga Radio Struga. Shpallja e fituesve në “Radiofest 2025” u shoqërua edhe me një program të pasur artistik me të ftuar nga Kosova dhe Shqipëria. Ky edicion i këtij festivali u mbështet nga Ministria e Kulturës së Republikës së Kosovës dhe Drejtoria për Kulturë e Komunës së Gjakovës. /KosovaPress