PESHKAQENI QË SUNDONTE DETET/ Grabitqari i frikshëm jetonte 115 milionë vjet më parë, pranë Australisë së sotme
Shkencëtarët kanë zbuluar se përpara shfaqjes së megalodonit, një peshkaqen gjigant sundonte detet pranë Australisë së sotme. Fosilet tregojnë se grabitqari jetonte rreth 115 milionë vjet më parë dhe ishte më i madh se peshkaqeni i bardhë modern. Zbulimi rishkruan historinë e evolucionit të peshkaqenëve modernë.
Përpara se oqeanet të njihnin megalodonin apo peshkaqenin e bardhë, një peshkaqen gjigant dhe i frikshëm sundonte ujërat e asaj që sot është Australia veriore. Këtë përfundim kanë arritur shkencëtarët pas studimit të disa vertebrave të mëdha të zbuluara pranë qytetit Darwin.
Sipas studimit të publikuar në revistën shkencore Communications Biology, bëhet fjalë për grabitqarin më të hershëm gjigant të linjës së peshkaqenëve modernë, i cili ka jetuar 15 milionë vjet më herët sesa peshkaqenët gjigantë të njohur deri tani. Studiuesit vlerësojnë se ky peshkaqen arrinte rreth 8 metra gjatësi, më i madh se peshkaqeni i bardhë i sotëm.
Fosilet përbëhen nga pesë vertebra masive, të zbuluara fillimisht në fund të viteve ’80 dhe ’90, por që kishin mbetur për vite me radhë në depo muzeale. Vetëm studimet e fundit, përmes skanimeve dhe modeleve matematikore, bënë të mundur vlerësimin e përmasave reale të grabitqarit.

Sipas paleontologëve, peshkaqeni i përkiste grupit të quajtur carda-biodontidë, grabitqarë të fuqishëm të periudhës së Kretakut, kur detet ishin të mbushura me përbindësha të tjerë.
Ekspertët theksojnë se vertebrat janë prova shumë të rralla, pasi skeleti i peshkaqenëve është prej kërci dhe zakonisht nuk fosilizohet. Pikërisht për këtë arsye, ky zbulim konsiderohet i jashtëzakonshëm për të kuptuar madhësinë dhe evolucionin e peshkaqenëve të lashtë.
Sipas studiuesve, ky zbulim tregon se peshkaqenët modernë arritën majën e zinxhirit ushqimor shumë më herët nga sa mendohej, duke u shndërruar shpejt në grabitqarët kryesorë të oqeaneve prehistorike.
Studimi i këtyre ekosistemeve të lashta, thonë shkencëtarët, mund të ndihmojë edhe në kuptimin se si speciet e sotme detare mund të reagojnë ndaj ndryshimeve klimatike dhe mjedisore në të ardhmen.

