Mohammed Ben Sulayem rizgjidhet president i FIA-s mes polemikave
Mohammed Ben Sulayem, 63 vjeç, është rizgjidhur president i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA), duke vijuar udhëheqjen që nisi në 2021, pas Jean Todt.
Gjatë mandatit të tij, Ben Sulayem ka arritur të përmirësojë ndjeshëm financat e organizatës, duke kaluar nga një deficit prej 24 milionë eurosh në 2021 në një fitim prej 4,7 milionë eurosh në 2024.
Rizgjedhja e tij u zhvillua në një atmosferë të kontestuar, pasi ai ishte i vetmi kandidat.
Të tjerët u tërhoqën duke e konsideruar sistemin e kandidaturës të padrejtë. Ben Sulayem falënderoi anëtarët e FIA-s:
"Faleminderit të gjithë anëtarëve për pjesëmarrjen masive dhe besimin që më rinovuat. Kemi përballuar sfida të shumta, por sot jemi më të fortë se kurrë."
Polemika e krijuar lidhet kryesisht me rregullat e kandidaturës, të cilat kërkonin që çdo listë të përfshinte një zv/president nga çdo kontinent.
Në Amerikën e Jugut kishte vetëm një person të vlefshëm, i cili ishte pjesë e listës së Ben Sulayem, duke pamundësuar kandidatura të tjera.
Juristja zvicerane, Laura Villars, tentoi të ndalonte zgjedhjet në gjykatë në Paris, por kërkesa e saj nuk u pranua; pritet që procesi ligjor të vazhdojë në shkurt.
Mandati i Ben Sulayem nuk ka munguar nga polemikat.
Nga rregullat e ashpra mbi veshjet dhe bizhuteritë e pilotëve, deri te akuza për ndërhyrje në rezultatet e GP të Las Vegasit dhe Arabisë Saudite në 2023, tensionet nuk kanë munguar.
Brenda FIA-s, largimi i Robert Reid, zv/president për sportin, ngriti kritika mbi vendimmarrjen e Ben Sulayem “pas dyerve të mbyllura”.
