Formula 1/ Verstappen, kampion i… pagave, ja ‘top-10’ e pilotëve më të paguar të vitit 2025
Kampionati Botëror i Formula 1 ka përfunduar me triumfin e Lando Norris-t, por kur bëhet fjalë për pagat, fituesi absolut nuk është piloti i McLaren-it.
Sipas renditjes së publikuar nga Forbes, Max Verstappen kryeson listën e pilotëve më të paguar të vitit 2025, me një shifër marramendëse prej 76 milionë dollarësh.
Në total, Forbes vlerëson se pilotët e “circus”-it kanë arkëtuar 363 milionë dollarë gjatë këtij viti.
Pas Verstappenit renditet Lewis Hamilton, i cili pavarësisht një sezoni të vështirë me Ferrarin, ka siguruar 70,5 milionë dollarë.
Kampioni i botës, Lando Norris, pozicionohet vetëm në vendin e tretë me 57,5 milionë dollarë, megjithatë mbetet një nga figurat më të kërkuara dhe më të vlerësuara të garave.
Charles Leclerc, shoku i skuadrës së Hamiltonit te Ferrari, është i pesti me 30 milionë dollarë, më pak se gjysma e britanikut.
Në këtë ‘top-10’ milionerësh, spikat edhe emri i italianit Kimi Antonelli.
Piloti i ri i Mercedesit, që përfundoi sezonin e tij debutues, ka arkëtuar 12,5 milionë dollarë, një shifër mbresëlënëse për një ‘rookie’.
Forbes thekson se rritja e pagave nuk është rastësi, por pasojë e dy prirjeve të fuqishme që po ndryshojnë ekonominë e Formula 1.
Së pari, biznesi i F1 po përjeton një bum të jashtëzakonshëm: sponsorizimet dhe çmimet financiare janë në rritje të vazhdueshme.
Së dyti, vlera ekonomike e skuadrave ka shënuar rritje të ndjeshme.
Dhjetë skuderitë elitare kanë regjistruar një mesatare prej 430 milionë dollarësh të ardhura sezonin e kaluar, ndërsa vlera mesatare e tyre në vitin 2025 ka arritur në 3,6 miliardë dollarë, pothuajse dyfishuar krahasuar me vitin 2023.
Në pistë emocionet përfunduan, por në klasifikimin financiar gara vazhdon, dhe Verstappen konfirmon se për momentin është piloti më i vlefshëm i Formula 1.
