ITALIA NGJITET NË UEFA/ Ekipet e Seria A besojnë: Në sezonin 2026-2027 me 5 ekipe në Champions 

Rezultatet pozitive të skuadrave italiane në Europë i kanë dhënë Serie A-së një shtysë të fortë në renditjen e UEFA-s. Gara për një vend shtesë në Champions League mbetet e hapur.

Futbolli italian po përjeton një përshpejtim vendimtar në garën për renditjen e UEFA-s, në një moment kur viti 2025 i kupave evropiane është thuajse mbyllur.

Falë një jave shumë pozitive, me pesë fitore në shtatë ndeshje, Italia ka arritur të parakalojë La Ligën spanjolle në koeficientin sezonal, duke e rikthyer Bundesligën në objektivin kryesor.

Synimi është i qartë: sigurimi i njërit prej dy vendeve shtesë që dërgojnë ekipin e pestë në Champions League.

Xhiroja e fundit e kupave rezultoi mjaft e favorshme për skuadrat italiane. Edhe pse Interi humbi me penallti ndaj Liverpulit dhe Napoli u mposht në Lisbonë nga Benfica, pjesa tjetër e përfaqësueseve italiane dha përgjigje bindëse.

Në Champions League, Atalanta dhe Juventusi siguruan pikë të rëndësishme në fazën e re me grup unik. Në Europa League, Roma dhe Bologna regjistruan fitore me peshë, ndërsa në Conference League Fiorentina u rikthye te suksesi. Këto pesë fitore kanë ndikuar drejtpërdrejt në ngjitjen e Italisë në renditje.

Sipas përditësimit më të fundit, Italia ka arritur kuotën e 11.071 pikëve, duke lënë pas Spanjën me 10.609 pikë. Liga spanjolle po vuan nga rezultatet zhgënjyese të disa prej skuadrave kryesore, përfshirë Real Madridin dhe Villarrealin.

Në krye vijon Premier League angleze, e cila duket e paarritshme, ndërsa beteja reale zhvillohet për vendin e dytë me Gjermaninë, që aktualisht ka 11.660 pikë.

Gara nuk ka përfunduar ende për këtë vit kalendarik. Java e ardhshme, me ndeshjet e fundit të fazës së grupeve në Conference League, ofron një tjetër mundësi për të ngushtuar diferencën me Bundesligën përpara pushimit dimëror. Shanset që Serie A të sigurojë një vend të pestë në Champions League mbeten më të hapura se kurrë.