ROONEY RRËFEN KËRCËNIMET ME JETË/ Ish-sulmuesi: Kalimi nga Everton te United nuk u prit mirë nga tifozët
Wayne Rooney ka folur hapur për kërcënimet dhe presionin ekstrem që përjetoi pas largimit nga Everton. Ish-ylli anglez tregon se si vendimi për të ndjekur ëndrrën ndryshoi jetën e tij përgjithmonë.
Wayne Rooney ka zbuluar se përjetoi një nga periudhat më të vështira të jetës së tij kur, në moshën vetëm 18-vjeçare, u largua nga Everton për t’u transferuar te Manchester United. Ish-sulmuesi i Anglisë rrëfen se ky vendim i solli kërcënime serioze, përfshirë edhe kërcënime me vdekje nga tifozë të zemëruar të klubit ku ishte rritur.
Transferimi i vitit 2004, me vlerë 27 milionë paund, shkaktoi reagime të forta në Merseyside, veçanërisht për shkak të rivalitetit historik mes Liverpoolit dhe Manchesterit.
Rooney tregon se jo vetëm ai, por edhe familja e tij u vu nën presion ekstrem: shtëpia e prindërve të tij u vandalizua, ndërsa edhe banesa e partneres së tij të atëhershme, Coleen, u bë objekt sulmesh.
Pavarësisht situatës së rëndë, Rooney thotë se u detyrua të tregonte forcë mendore dhe të ishte “egoist” për të ndjekur ambiciet e tij profesionale. Ai thekson se kishte një vizion të qartë për karrierën dhe nuk lejoi që presioni nga qyteti i tij ta largonte nga qëllimi për të luajtur në nivelin më të lartë.
Ish-kapiteni i “Djajve të Kuq” krahason atë periudhë me realitetin e sotëm të futbollit, duke theksuar rolin e madh të rrjeteve sociale. Sipas tij, presioni mbi futbollistët e rinj është shumë më i madh sot, pasi ata gjykohen nga miliona njerëz që në moshë shumë të re. Rooney sjell si shembull djalin e tij, Kai, i cili është pjesë e akademisë së Manchester United dhe është tashmë nën vëzhgimin e madh publik.
Në rrëfimin e tij, Rooney ndalet edhe te lidhja e veçantë me Duncan Ferguson, idhullin e tij të fëmijërisë, të cilit i shkruante letra gjatë kohës kur ky i fundit ndodhej në burg. Këto momente, sipas tij, e bënë edhe më të fortë lidhjen me Evertonin, por nuk mjaftuan për ta ndalur rrugëtimin drejt majave të futbollit botëror.

