Rreziku i zemrës është sepse të duhet dashurosh si një akt shpëtimi, këshillimet e urta të Louise Erdrich
Louise Erdrich, në “Daullja e pikturuar”, e artikulon një të vërtetë që rrallë thuhet me kaq qartësi se njeriu nuk shpëton nga jeta, as nuk e mposht atë. Ai mund vetëm ta durojë, ta jetojë dhe ta tejkalojë përmes dashurisë dhe vetëm asaj. Në këtë vizion, jeta nuk paraqitet si një udhëtim i zakonshwm apo i neutralizuar nga iluzionet e lumturisë së lehtë, por si një proces i pandalshëm thyerjeje, rindërtimi dhe rizgjedhjeje të vetvetes.
Ajo tërheq vëmendjen se dhuna e jetës është e pashmangshme. Thyerja vjen. Humbja vjen. Braktisja, zhgënjimi, madje edhe vetmia që ne e mendojmë si mbrojtëse, ka mënyrat e saj brutale për të na çjerrë. Erdrich nuk e romantizon asnjë prej këtyre; ajo e sheh jetën si një terren ku çdo shpirt duhet të kalojë nëpër një lloj përplasjeje me ekzistencën.
Por pikërisht këtu vendoset thelbi i mesazhit të saj, dashuria është i vetmi kundërpeshë reale. Dashuria nuk është arratisje, por një akt guximi, një zgjedhje për t’i dhënë zemrës ekspozim ndaj rrezikut, humbjes, zhveshjes. Erdrich na mëson se të dashurosh nuk do të thotë të mbrohesh, por ta vësh veten në rrezik me vetëdije, sepse vetëm kështu njeriu e kap përmasën e plotë të të qenit gjallë.
Të rrezikosh zemrën bëhet kështu një akt i domosdoshëm, një provim ekzistencial. Ne nuk jemi të ardhur në tokë për të kaluar në mënyrë neutrale midis ditëve, por për t’u zhytur. Për të provuar thellësinë e përjetimit, për të lejuar që gëzimi, dhimbja, erotizmi, humbja dhe gjetja të na kalojnë përmes. Kjo është arsyeja pse jemi këtu: për të pësuar, për të ndier, për të dashur.
Dhe kur jeta të të ketë rrëzuar në tokë aq fort sa nuk mbetet më asgjë për t’u mbrojtur, kur vdekja të endet pranë dhe zemra të dridhet nga pesha e fundit të mundshme të humbjes, Erdrich na jep një skenë të thjeshtë dhe të fuqishme: ulu nën një pemë molle. Shiko frytet teksa bien tokës me një bujari të pashpjegueshme. Shiko bollëkun e asaj që jeta dhuron pavarësisht dhimbjes.
Ky akt kontemplativ është një mënyrë për të kuptuar se pavarësisht plagëve, ti ke jetuar. Ke shijuar bukurinë, dritën, përjetimin. Ke marrë pjesë në mrekullinë e qenies. Dhe ky është bekimi i fundit: të dish se edhe nëse je thyer, ti ke dashuruar, ke dhënë, ke qenë pjesë e një pasurie që nuk matet me mbrojtjen, por me hapjen.
Në këtë vizion, jeta nuk fitohet duke e sfiduar, por duke e dashur aq thellë sa të mos kesh frikë prej saj.

