“Një puthje e vjedhur” e Thomas Edward Roberts, që na vjedh përjetimin zjarrmëtar të ndjenjave

Kanavaca “Një puthje e vjedhur” e piktorit britanik Thomas Edward Roberts (1820–1901), një vepër e vitit 1863, është një himn ndaj çasteve të befta të dashurisë, atyre fragmenteve të brishta që jeta i kursen, por arti i ruan si relike të përjetshme. Në këtë pikturë, Roberts ngre një skenë që duket si një cytje e prushtë e zemrës njerëzore, një moment i shkreptimës së ndjenjës, ku puthja vjedhacake bëhet akti më i dlirë i dëshirës dhe i pritjes.

Është një çast që rrëshqet mes shpengimit dhe ndrojtjes, një lojë e pafajshme dashurie, ku rituali i ndjenjës shpërthen me një hir të dridhshëm. Piktori arrin të kapë jo vetëm veprimin, por gjithë psikologjinë e tij të fshehtë: tensionin e ëmbël para puthjes, frymëmarrjen e pezullt, dorëzimin e heshtur të vajzës që pranon këtë bekim të beftë si një dehje të lartë shpirtërore.

Vajza, e ulur në kolltukun e rëndë prej kadifeje, nuk është thjesht objekt i ndjenjës, por vetë zemra e kësaj skene. Koka e saj e anuar, qafa e zbuluar, duart e lëshuara që flenë në prehër, të gjitha janë gjuhë e një dorëzimi të butë ndaj ndjenjës. Është momenti kur dashuria nuk kërkon fjalë, por thjesht ndodh, e pastër dhe e pagabueshme.

Ndërsa ajo pranë saj, shoqja, është dëshmitarja e lumturisë, e gëzimit që nuk mund ta fshehë, ndaj e mbulon me shami. Ajo jo vetëm shikon, por përjeton; jo vetëm dëshmon, por vibron së bashku me mikeshën e saj. Ky gjest i vogël, thuajse i nënkuptuar, e kthen kompozimin në një triptik ndjenjash, dashurinë që ndodh, lumturinë që shpërndahet dhe emocionin që vëzhgon.

Roberts, mjeshtër i ngjyrës dhe dritës, i ka veshur figurat me ceremoni vizuale: mëndafsh, kadife, mëngë të qëndisura, nuanca që luajnë mes hijes dhe shkëlqimit. Veshjet nuk janë vetëm dekor, por ikonografi e një momenti fisnik, të ngritur në madhështinë e vet estetike.

Ngjyra e artë e fustanit që ndriçon në prehër si një fushë drite, e zeza solemne e bustit, tonet e ngrohta të manteve të djalit – të gjitha shpallin një adhurim të heshtur për dashurinë si një dhuratë të hyjshme.

Në fund, kjo pikturë nuk është vetëm një puthje e vjedhur.

Është një ritual i zemrës, një dorëzim i brishtë ndaj vetë jetës, një moment që arti e ka shpëtuar nga harresa për ta bërë pjesë të përjetshme të ndjenjave njerëzore.