Homazh për liritë dhe të drejtat e njeriut, në 77-vjetorin e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut

Më 10 dhjetor 1948, në Paris, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, aktin themeltar që synoi t’i jepte fund errësirës morale të shkaktuar nga Lufta e Dytë Botërore. Ishte hera e parë që komuniteti ndërkombëtar artikulonte, në një zë dhe me një vetëdije të përbashkët, se dinjiteti i njeriut nuk është një privilegj i dhënë nga shtetet, por një e drejtë e lindur, e padhunueshme dhe e panegociueshme. Ky dokument monumental shpalli një parim që sfidoi gjithë logjikën e pushtetit, njeriu nuk duhet të lypë lirinë e tij, sepse liria nuk jepet, por i njihet; nuk dhurohet, por i afirmohet; nuk falet, por i përket atij që lind.

Edhe pse sot numërohen 77 vjet nga ajo ditë, bota vazhdon të endet në vorbullën e kundërthënieve që Deklarata u përpoq të shuante. Shpresa se njerëzimi, i tronditur nga ferri i luftës, do të ngrinte një rend më të drejtë, u shndërrua shpesh në riciklimin e mekanizmave të vjetër të nënshtrimit. Qasja për t’u çliruar nga makthi kolektiv i shkatërrimit përfundoi në ngritjen e praktikave të reja, jo më pak mizore: kontrolli i hapësirave publike, heshtimi i fjalës së lirë, përndjekja e mendimit kritik, shtypja në emër të sigurisë, teknokratizimi i autoritarizmit. Të drejtat që duhej të ishin të patjetërsueshme u trajtuan si privilegje që mund të të merren; liritë themelore u zëvendësuan me rituale propagandistike; dinjiteti njerëzor u kthye në monedhë këmbimi në tavolinat e pushtetit.

Në vend të një bashkësie të qytetëruar të ndërtuar mbi barazinë, u ngritën struktura të heshtura linçimi dhe denigrimi, aparate të përditshme varfërimi, mekanizma që i zhveshin shtresat më vulnerabël të shoqërisë nga shpresat e tyre elementare. Në vend të solidaritetit, mbizotëroi ndarja; në vend të universalizmit, tribalizmi i ri global. Krijimi i një bote të ndarë dhimbshëm në NE dhe ATA, në të mbrojturit dhe të braktisurit, në të privilegjuarit dhe të padukshmit, dëshmon se plagët që Deklarata synoi të shërojë nuk janë mbyllur, por kanë marrë forma të tjera, më të sofistikuara dhe po aq përjashtuese.

Duhet të kalonin 77 vite që bota të kuptonte se diktaturat nuk kanë vdekur, ato kanë ndryshuar emër, formë dhe maskë. Ato shfaqen si regjim i forcës, si kult i liderit, si kapje e institucioneve, si kontroll i fjalës publike, si tirani ekonomike, apo si monopol i dijes dhe informacionit. Shpesh nuk vijnë me çizme të zeza e gjuhë dhune, por me fjalime të buta, retorikë boshe dhe premisa zhvillimi. Mirëpo thelbi mbetet i njëjtë: mohim i lirisë së njeriut, shkelje e dinjitetit, instrumentalizim i individit për nevojat e pushtetit.

Në shumë vende, e drejta për të qenë i lirë trajtohet ende si një koncesion i shtetit, si një privilegj që mund të të jepet e të të merret. Drejtues të papërgjegjshëm dhe eprorë që ushqejnë kultin e vetes e shkelin atë liri që Deklarata e 1948-s e vendosi si themel të rendit ndërkombëtar. Retorika politike shpesh e përdhos vlerën e njeriut, ndërsa gjuha e urrejtjes, anatema dhe fryma e mohimit mbeten mjete të fuqishme të kontrollit shoqëror. Në skajet e kësaj bote, paraja dhe monopole ekonomike shndërrohen në forma të reja tiranie: të heshtura, të padukshme, por po aq shtypëse sa dhuna e dikurshme.

Njeriu i sotëm, përballë realiteteve të reja dhe krizave të shumta, mbijeton duke u përpjekur të ruajë pikërisht atë që është më e brishtë: lirinë e vet. Liria mbetet prova e të tashmes, shtylla që e lidh njeriun me dinjitetin dhe me të ardhmen. Ajo liri themeltare, që nisi të artikulohej me kurajë më 10 dhjetor 1948 në Paris, vazhdon të jetë sfida më e rëndësishme e njerëzimit. Sepse liria nuk është një datë në histori, por një betejë e përditshme. Dhe çdo shoqëri që harron këtë, rrezikon të kthehet në errësirën prej nga u nis ajo Deklaratë.

Foto nga Wikipedia: Eleanor Roosevelt duke mbajtur versionin në anglisht të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut në nëntor 1949