Zgjedhjet presidenciale 2026 në Brazil/ Konfirmon kandidaturën djali i Jair Bolsonaros
Senatori brazilian Flavio Bolsonaro deklaroi sot se vendimi i tij për të kandiduar për president në zgjedhjet e vitit 2026 është “i parevokueshëm”, duke konfirmuar se do të sfidojë aktualin president Luiz Inacio Lula da Silva.
44-vjeçari kishte lënë të kuptohej gjatë fundjavës se mund të tërhiqej nga gara, por sot, pas një vizite tek i ati, ish-presidenti Jair Bolsonaro, i dënuar me 27 vite burg për tentativë grushti shteti pas humbjes në zgjedhjet e 2022, ai sqaroi se kandidimi është i sigurt.
“E informova se ky vendim nuk ndryshon,” u tha ai gazetarëve. “Dhe me fjalët e tij: ‘Nuk do të tërhiqemi’. Tani është koha të flasim me njerëzit dhe të sigurojmë mbështetjen e duhur.”
Flavio Bolsonaro e bëri publike kandidimin të premten, ndërsa konfirmoi edhe mbështetjen e të atit – një zhvillim që ndikoi negativisht në tregjet financiare, të cilat prisnin një kandidat më të moderuar dhe të favorshëm për tregjet, si guvernatori i São Paulo-s, Tarcisio de Freitas. Ky i fundit deklaroi të hënën se do ta mbështesë senatorin.
Senatori falënderoi Freitas dhe tha se e kupton shqetësimin e tregjeve lidhur me mundësinë që Lula të marrë edhe një mandat tjetër, por shtoi se kandidatura e tij do të fitojë terren dhe do të jetë një alternativë serioze ndaj presidentit aktual të qendrës së majtë.
