Pas Londrës dhe Brukselit, Zelensky sot në Romë! Takim me Papa Leone XIV dhe Melonin

Pas takimit me disa udhëheqës të BE-së dhe kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Zelensky vazhdon turneun e tij evropian për të diskutuar për ruajtjen e territorit sovran dhe të ardhmen e fondeve të destinuara për në Kiev.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pas vizitave të tij në Bruksel dhe Londër të hënën, sot do të vizitojë Italinë.

Lideri ukrainas pritet që të takohet me Papa Leone XIV dhe kryeministren Georgia Meloni. Sipas axhendës bëhet me dije se në orën 9:30 do të takohet me Papën në Castel Gandolfo. Më pas do të pritet në Palazzo Chigi në orën 15:00.

Një ditë më parë Zelensky zhvilloi në Londër një raund bisedimesh të rëndësishme me kryeministrin britanik Keir Starmer, homologun francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz, për të diskutuar versionin e planit të paqes, të propozuar nga Shtetet e Bashkuara, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Takimi i përbashkët përfundoi me foto jashtë zyrës së kryeministrit në Doëning Street, pastaj Macron dhe Merz u larguan, ndërsa Starmer dhe Zelensky vazhduan me biseda dypalëshe.

Së bashku, udhëheqësit diskutuan mbi sigurinë, mbrojtjen ajrore, ndihmën ushtarake dhe financime afatgjata për Ukrainën, kërkuar nga Kievi për të siguruar që çdo marrëveshje paqeje të mos e lërë vendin të pambrojtur.

Pas përfundimit të takimeve në Londër, Zelensky fluturoi për në Bruksel, ku pati një takim me dyer të mbyllura me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, presidenten e KE-së, Ursula Von Der Leyen dhe presidentin Europian Antonio Costa.

Zelenskyy ka bërë të ditur se fokusi diplomatik për këtë javë do të jetë “siguria, mbrojtja ajrore dhe financimi afatgjatë” për ndihmë dhe rezistencë të Ukrainës.