PDK kërkon nga BE heqjen e menjëhershme të masave ndaj Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, njëherësh kandidati për kryeministër, i është drejtuar me një letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si dhe institucioneve të Bashkimit Evropian, duke kërkuar heqjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të masave ndaj Kosovës.

Hamza thekson se Kosova ka kaluar një vit të ngarkuar me zgjedhje të njëpasnjëshme, por megjithatë ka dëshmuar pjekuri të lartë demokratike.

Sipas tij, qytetarët e Kosovës, ndër më proevropianët në rajon, nuk duhet të ndëshkohen për shkak të një qeverie të papërgjegjshme.

“Kosova ka kaluar një vit me zgjedhje të njëpasnjëshme, por ne kemi dëshmuar pjekuri të lartë demokratike.

Masat aktuale të BE-së janë të pajustifikueshme dhe po e dëmtojnë vendin në një periudhë kur kemi nevojë për zhvillim ekonomik, integrim evropian dhe stabilitet politik.

Është koha për një kapitull të ri në raportet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, deklaron kreu i PDK-së./KosovaPress