Kryespiuni në mërgim i Assad-it dhe kushëriri miliarder i planifikuan kryengritjet siriane nga Rusia
Nga mërgimi në Moskë, ish-shefi i inteligjencës Kamal Hassan dhe kushëriri i Assad-it, Rami Makhlouf, po shpenzojnë miliona dollarë në përpjekje për të ngritur forca luftarake që do të udhëhiqnin një kryengritje përgjatë bregdetit sirian. Ata po garojnë edhe për kontrollin e një rrjeti prej 14 dhomash të nëndheshme komanduese, të mbushura me armë dhe municione, të ndërtuara ditët e fundit të diktaturës. Qeveria e re e Sirisë ka dërguar një tjetër ish-besnik të Assad-it, një mik i fëmijërisë të presidentit të ri, për t'i neutralizuar komplotistët.
Nga Feras Dalatey dhe Timour Azhari - Reuters
DAMASK, Ish-besnikë të Bashar al-Assad-it që u larguan nga Siria pas rënies së diktatorit, po dërgojnë miliona dollarë tek dhjetëra mijëra luftëtarë të mundshëm, me shpresën për të nxitur kryengritje kundër qeverisë së re dhe për të rimarrë një pjesë të ndikimit të humbur, ka zbuluar një hetim i Reuters.
Assad, i cili iku në Rusi dhjetorin e kaluar, kryesisht është dorëzuar përballë jetës në mërgim në Moskë, thonë katër njerëz të afërt me familjen. Por figura të tjera të larta nga rrethi i tij i ngushtë, përfshirë vëllain e tij, ende nuk e kanë pranuar humbjen e pushtetit.
Dy nga njerëzit më të afërt me Assad-in dikur, gjeneralmajor Kamal Hassan dhe miliarderi Rami Makhlouf, po konkurrojnë për të krijuar milici në Sirinë bregdetare dhe në Liban, të përbëra nga anëtarë të sektit të tyre që janë në pakicë, alavitët, të lidhur prej kohësh me familjen Assad, zbuloi Reuters. Në total, dy burrat dhe fraksione të tjera që përplasen për pushtet po financojnë mbi 50,000 luftëtarë me shpresën për të fituar besnikërinë e tyre.
Vëllai i Assad-it, Maher, i cili gjithashtu ndodhet në Moskë dhe vazhdon të kontrollojë mijëra ish-ushtarë, ende nuk ka dhënë para apo urdhra, thanë katër burimet e afërta me familjen Assad.
Një objektiv i madh për Hassan-in dhe Makhlouf-in është kontrolli i një rrjeti prej 14 dhomash të fshehta komanduese të ndërtuara përgjatë bregdetit sirian drejt fundit të sundimit të Assad-it, si dhe i depozitave të armëve. Dy oficerë dhe një guvernator rajonal sirian konfirmuan ekzistencën e këtyre dhomave të fshehta, detaje të të cilave shfaqeshin në fotografi të parë nga Reuters.
Hassan, i cili ishte shefi i inteligjencës ushtarake të Bashar-it, po bën vazhdimisht telefonata dhe dërgon mesazhe zanore te komandantë dhe këshilltarë. Në to, ai shpërthen në inat për humbjen e ndikimit të tij dhe përshkruan me madhështi mënyrën se si do të sundonte bregdetin sirian, ku jeton shumica e popullsisë alavite të Sirisë dhe që dikur ishte baza kryesore e pushtetit të Assad-it.
Makhlouf, kushëri i familjes Assad, dikur përdori perandorinë e tij të biznesit për të financuar diktatorin gjatë luftës civile, por më pas u përplas me të afërmit e tij edhe më të fuqishëm dhe përfundoi për vite me radhë në arrest shtëpie. Tani, në biseda dhe mesazhe, ai e portretizon veten si një figurë mesianike që do të rikthehet në pushtet pasi të udhëheqë një betejë të fundit apokaliptike.
Hassan dhe Makhlouf nuk iu përgjigjën kërkesave të Reuters për koment. Nuk arritën të lidheshim dot me Bashar dhe Maher Assad-in. Reuters kërkoi gjithashtu koment nga vëllezërit Assad përmes ndërmjetësve, por nuk mori përgjigje.
Nga mërgimi i tyre në Moskë, Hassan dhe Makhlouf imagjinojnë një Siri të copëtuar, dhe secili dëshiron kontrollin e zonave me shumicë alavite. Të dy kanë shpenzuar miliona dollarë në përpjekje konkurruese për të ngritur forca, zbuloi Reuters. Zëvendësit e tyre ndodhen në Rusi, Liban dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Për t'iu kundërvënë këtyre komplotistëve, qeveria e re e Sirisë ka caktuar një tjetër ish-besnik të Assad-it, një mik fëmijërie i presidentit të ri Ahmed al-Sharaa, i cili u bë drejtues paramilitar për Assad-in dhe më vonë kaloi me palën tjetër në mes të luftës, pasi diktatori u kthye kundër tij. Detyra e këtij njeriu, Khaled al-Ahmad, është të bindë ish-ushtarët dhe civilët alavitë se e ardhmja e tyre është me Sirinë e re.
"Kjo është vazhdimësi e luftës për pushtet brenda regjimit të Assad-it," tha Annsar Shahhoud, një studiues që ka hulumtuar diktaturën për më shumë se një dekadë. "Kjo garë vazhdon tani, por në vend që synimi të jetë kënaqja e Assad-it, fokusi është gjetja e zëvendësit të tij dhe kontrolli i komunitetit alavit."
Detajet e këtij komplotimi bazohen në intervista me 48 persona me njohuri të drejtpërdrejta për planet konkurruese. Të gjithë folën në kushte anonimiteti. Reuters shqyrtoi gjithashtu dokumente financiare, dokumente operacionale dhe shkëmbime mesazhesh zanore dhe tekstuale.
Guvernatori i rajonit bregdetar të Tartusit, Ahmed al-Shami, tha se autoritetet siriane janë të vetëdijshme për thelbin e planeve dhe gati t'i luftojnë ato. Ai konfirmoi edhe ekzistencën e rrjetit të dhomave të komandimit, por tha se tashmë është dobësuar.
"Jemi të sigurt që ata nuk mund të bëjnë asgjë të efektshme, duke pasur parasysh mungesën e mjeteve të forta në terren dhe aftësitë e tyre të dobëta," tha al-Shami për Reuters, në përgjigje të pyetjeve mbi komplotin.
Ministria e Brendshme e Libanit dhe Ministria e Jashtme e Rusisë nuk iu përgjigjën kërkesave për koment. Një zyrtar i Emirateve të Bashkuara Arabe tha se qeveria e tij është e përkushtuar të parandalojë përdorimin e territorit të saj për "të gjitha format e flukseve të paligjshme financiare."
Një kryengritje e mundshme mund të destabilizonte qeverinë e re të Sirisë ndërsa SHBA-të dhe fuqitë rajonale po i japin mbështetje Sharaa-s, ish-komandantit të al-Qaedës që rrëzoi Assad-in dhjetorin e kaluar dhe tani po orienton një peizazh politik të përçarë. Kjo do të rrezikonte ndezjen e një tjetër vale dhune sektare vdekjeprurëse, e cila e ka tronditur Sirinë e re gjatë vitit të fundit.
Për momentin, gjasat e një kryengritjeje të suksesshme duken të ulëta.
Kryekomplotistët Hassan dhe Makhlouf janë armiq të përbetuar. Shpresat e tyre për të fituar mbështetjen e Rusisë, dikur mbështetësja më e fortë politike dhe ushtarake e Assad-it, po zbehen. Shumë alavitë në Siri, të cilët gjithashtu vuajtën gjatë sundimit të Assad-it, nuk u besojnë këtyre dy figurave. Ndërkohë qeveria e re po punon për t'i penguar planet e tyre.
Në një deklaratë të shkurtër në përgjigje të gjetjeve të Reuters, përfaqësuesi i komunitetit alavit në qeveri, al-Ahmad, tha se "puna e shërimit, e çrrënjosjes së urrejtjes sektare dhe nderimit të të vdekurve, mbetet e vetmja rrugë drejt një Sirie që mund të pajtohet me veten."
Hassan pretendon se kontrollon 12,000 luftëtarë, ndërsa Makhlouf pretendon të paktën 54,000, sipas dokumenteve të brendshme të fraksioneve të tyre. Komandantët në terren thanë se luftëtarët paguhen shumë pak dhe marrin para nga të dyja palët.
Të mërguarit nuk duket se kanë mobilizuar ende ndonjë forcë. Reuters nuk mundi të konfirmojë shifrat e luftëtarëve apo të përcaktojë plane të veçanta veprimi. Guvernatori i Tartusit, al-Shami, tha se numri i luftëtarëve potencialë shkon në dhjetëra mijëra.
Njerëzit më të afërt me komplotistët, në intervista, thanë se janë të vetëdijshëm që dhjetëra mijëra alavitë sirianë mund të përballen me hakmarrje të dhunshme nëse ata zbatojnë planet e tyre kundër udhëheqjes së re, e dominuar nga sunitët. Qeveria e re erdhi në pushtet pasi doli fituese një vit më parë nga lufta civile gati 14-vjeçare, e cila e zhyti vendin në gjakderdhje sektare.
Në mars, gati 1500 civilë u vranë përgjatë bregdetit të Mesdheut nga forcat e lidhura me qeverinë pas një kryengritjeje të dështuar në një qytet alavit. Si Hassan, ashtu edhe Makhlouf premtojnë të mbrojnë alavitët e Sirisë nga pasiguria që ka vazhduar që prej marsit, përfshirë vrasjet dhe rrëmbimet pothuajse të përditshme.
Zemërimi i alavitëve kundër qeverisë së re shpërtheu me 25 nëntor, kur mijëra njerëz dolën në rrugët e Homsit dhe qyteteve bregdetare. Ata kërkuan më shumë autonomi, lirimin e të paraburgosurve dhe kthimin e grave të rrëmbyera. Protestat shënuan demonstratat e para masive që Siria kishte parë që nga rënia e Assad-it.
As Makhlouf, as Hassan nuk ishin pas protestave, por një klerik që i kundërshton të dy dhe bëri thirrje publike për protesta paqësore. Makhlouf e sulmoi klerikun të nesërmen në një postim në rrjetet sociale, duke thënë se "të gjitha këto lëvizje do të sjellin vetëm fatkeqësi, sepse koha ende nuk ka ardhur."
Një nga koordinatorët kryesorë ushtarakë të Hassan-it i tha Reuters se lufta është e vetmja mënyrë për të rikthyer dinjitetin e alavitëve.
"Ne jemi me fat që deri tani kanë vdekur vetëm kaq njerëz nga tanët," tha koordinatori, një ish-oficer i inteligjencës ushtarake të periudhës së Assad-it, i cili tani ndodhet në Liban. "Ndoshta mijëra të tjerë do të vdesin, por sekti duhet të ofrojë 'kurbanë' për të mbrojtur komunitetin."
Sipas dokumenteve të janarit 2025 të parë nga Reuters, forcat pro-Assad hartuan planet fillestare për të krijuar një forcë paramilitare prej 5780 luftëtarësh dhe për t'i furnizuar ata nga dhomat e nëndheshme komanduese. Këto janë në thelb magazina të mëdha të pajisura me armë, energji diellore, internet, pajisje GPS dhe radiolidhje.
Asgjë nuk doli nga ai plan i hershëm, dhe dhomat e komandimit, të shtrira përgjatë bregdetit sirian në një vijë rreth 180 kilometra nga veriu në jug, mbeten funksionale, por në thelb të papërdorura, sipas dy personave të njohur me to dhe fotove të para nga Reuters.
Një foto tregonte një dhomë me pesë arka të vendosura njëra mbi tjetrën, ku tre prej tyre ishin hapur duke zbuluar një grumbull AK-47, municione dhe granata dore. Dhoma kishte edhe tre kompjuterë tavoline, dy tabletë, një set radiosh dhe një bateri portative. Në qendër ishte një tavolinë druri mbi të cilën ishte hapur një hartë e madhe.
Për komplotistët, "ky rrjet është Ishulli i Thesarit, dhe ata janë të gjithë varka që përpiqen të arrijnë tek ai," tha një nga personat, një komandant që monitoron gatishmërinë e këtyre dhomave.
Al-Shami, guvernatori i Tartusit, tha se rrjeti është real, por nuk përbën shumë rrezik. "Qendrat janë dobësuar ndjeshëm që nga çlirimi," tha ai. "Nuk ka asnjë shqetësim për ekzistencën e tyre të mëtejshme."
Ndërsa zyrtarë të lartë ushtarakë dhe figura të rëndësishme të qeverisë ikën jashtë vendit në dhjetor të vitit 2024, shumë komandantë të nivelit të mesëm mbetën në Siri. Shumica u larguan drejt zonave bregdetare të dominuara nga alavitët, një pakicë myslimane që përbën pak mbi 10% të popullsisë së Sirisë. Ata filluan të rekrutojnë luftëtarë, sipas një komandanti të dalë në pension i përfshirë në këtë përpjekje.
"Ushtria ishte toka më pjellore," tha komandanti në pension. "Mijëra të rinj nga sekti ishin rekrutuar në ushtri, e cila u shpërbë në dhjetor dhe papritur u gjetën të pambrojtur."
Pastaj erdhi kryengritja e dështuar e 6 marsit. Një njësi alavite që vepronte në mënyrë të pavarur ngriti pritë ndaj forcave të sigurisë së qeverisë së re siriane në zonat rurale të Latakias, duke vrarë 12 burra dhe kapur më shumë se 150, sipas një gjenerali brigade që mori pjesë në pritë dhe më pas iku në Liban.
Qeveria e re siriane thotë se qindra nga forcat e saj të sigurisë u vranë në luftimet që pasuan, një pretendim i përsëritur gjerësisht edhe nga luftëtarët pro-Assad-it. Gjenerali i brigadës tha se 128 luftëtarë pro-Assad-it u vranë në kryengritje, e cila u shtyp nga qeveria e re. Kryengritja nxiti hakmarrje që vranë gati 1500 alavitë.
Sipas oficerëve të pranishëm atëherë, të mërguarit pro-Assad-it nuk e nisën as nuk e drejtuan kryengritjen, por ato ditë shënuan një pikë kthese. Ata filluan të organizohen.
NJË PËRÇARJE NË FAMILJEN ASSAD
Ishte me 9 mars kur Makhlouf filloi të e quante veten "Djali i Bregut", duke dhënë në një deklaratë se ai ishte ngarkuar me një mision hyjnor për të ndihmuar alavitët. "Jam kthyer dhe i bekuar qoftë ky kthim," thuhej në deklaratë. Nuk përmendej se ai ndodhej në Moskë.
Makhlouf dominoi ekonominë e Sirisë për më shumë se dy dekada, me pasuri që qeveria britanike i vlerësonte mbi një miliard dollarë, në sektorë të ndryshëm si telekomunikacioni, ndërtimi dhe turizmi. Ai përdori paratë e tij për të financuar njësi të ushtrisë siriane dhe milici aleate gjatë luftës civile, e cila shpërtheu në vitin 2011.
Kur fitorja e Assad-it dukej e sigurt në vitin 2019, Makhlouf mori meritën publikisht. Menjëherë pas kësaj, Assad i konfiskoi bizneset, nën arsyetimin se i kishin borxh shtetit dhe e futi për vite nën arrest shtëpie.
Makhlouf u arratis në Liban me ambulancë natën e 8 dhjetorit 2024, kur Damasku ra në duart e rebelëve të Sharaa-s. Vëllai i Makhlouf-it, Ehab, gjithashtu u përpoq të arratisej atë natë me Maseratin e tij, por u qëllua për vdekje pranë kufirit dhe iu vodhën miliona dollarë që mbante me vete, sipas katër personave të afërt me familjen dhe një oficeri doganor me njohuri të drejtpërdrejta për ngjarjen. Reuters nuk mundi të verifikojë në mënyrë të pavarur ngjarjet e asaj nate.
Makhlouf tani jeton në një kat privat në një hotel luksoz Radisson në Moskë nën siguri të lartë, sipas nëntë ndihmësve dhe të afërmve. Ai citon shpesh nga Kurani. Ata thanë se ai u bë shumë fetar gjatë arrestit në shtëpi, duke e përdorur atë kohë izolimi për të shkruar një seri prej tre vëllimesh mbi traditën dhe interpretimet islame.
Radisson në Moskë dhe selia në Bruksel nuk iu përgjigjën kërkesës për koment.
Sipas postimeve të Makhlouf-it në Facebook dhe mesazheve në WhatsApp dërguar të njohurve, ai beson se Zoti i dha para dhe ndikim që të luajë një rol mesianik në një profeci shiite që lidhet me betejën e Armagedonit në Damask. Në interpretimin e tij, apokalipsi do të vijë pas përfundimit të mandatit të presidentit amerikan Donald Trump. Ai e quan publikisht Sharaa-n "Al Sufyani," armikun kryesor të profecisë, i cili vdes kur një çarje në tokë përpin ushtrinë e tij.
Duke përdorur administratorë të besuar biznesi në Liban, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Rusi, Makhlouf po transferon para tek oficerët alavitë për paga dhe pajisje, sipas një menaxheri financiar dhe faturave e tabelave të pagave të para nga Reuters.
Dokumentet tregojnë se paratë kalojnë përmes dy oficerëve të njohur sirianë që u ribashkuan me Makhlouf-in në Moskë: Suhail Hassan dhe Qahtan Khalil, të dy gjeneralmajorë. Hassan dhe Khalil pretendojnë se kanë krijuar një forcë për Makhlouf-in me gjithsej, sipas tyre, 54,053 luftëtarë të gatshëm, përfshirë 18,000 oficerë, të organizuar në 80 batalione dhe grupe në dhe rreth qyteteve Homs, Hama, Tartus dhe Latakia. Megjithatë, shumë ushtarë të thjeshtë të rekrutuar nën Assad-in braktisën luftën kur qeveria e tij u rrëzua.
Hassan dhe Khalil nuk iu përgjigjën kërkesave për koment mbi rolin e tyre në transferimin e parave.
Zyrtari i Emirateve të Bashkuara Arabe tha se qeveria mban mbikëqyrje strikte mbi sektorët e saj ekonomikë dhe plotësisht "mbështet përpjekjet e Sirisë për të ruajtur sigurinë, stabilitetin dhe sovranitetin mbi të gjitha territoret."
Një nga menaxherët financiarë të Makhlouf-it i tha Reuters se ai ka shpenzuar të paktën 6 milionë dollarë për paga. Tabelat e pagave dhe faturat e përgatitura nga ndihmësit e tij financiarë në Liban tregonin se ai shpenzoi 976,705 dollarë në maj, dhe se një grup prej 5000 luftëtarësh mori 150,000 dollarë në gusht.
Sipas pesë drejtuesve të grupeve ushtarake në Siri që marrin pagesa nga Makhlouf dhe komandojnë rreth një të pestën e forcës së tij, numrat totalë të forcave janë realë. Por financimi i Makhlouf-it nuk mjafton për nevojat e tyre, duke u dhënë vetëm 20 deri në 30 dollarë në muaj për çdo luftëtar.
Përveç kësaj, stafi i Makhlouf-it ka kërkuar të sigurojë armë. Ata kanë hartuar vendndodhjet e mundshme të dhjetëra depozitave të fshehura gjatë epokës së Assad-it, me gjithsej disa mijëra armë, sipas skemave të parë nga Reuters. Këto stoqe janë të ndara nga dhomat e fshehta të komandimit.
Ata gjithashtu kanë zhvilluar bisedime me kontrabandistë armësh në Siri për armë të reja. Personat e njohur me këto bisedime thanë se nuk dinë nëse armët e reja janë blerë apo dërguar.
Në total, pesë drejtuesit lokalë të milicive thanë se komandojnë rreth 12,000 burra në faza të ndryshme gatishmërie. Njëri prej tyre i tha Reuters se koha ende nuk është e përshtatshme për veprim.
Një tjetër nga këta komandantë e tallte Makhlouf-in duke thënë se ai po përpiqet të blejë besnikëri me "thërrime parash."
Të pestë thanë se kanë marrë para si nga Makhlouf, ashtu edhe nga shefi i spiunazhit, Hassan. Ata nuk e shohin si problem që paguhen nga të dyja palët.
"Mijëra alavitë, qofshin ish-ushtarë sirianë apo civilë të larguar nga puna e shtetit, jetojnë në varfëri të skajshme," tha një prej tyre. "Nuk ka asgjë të keqe të marrësh ca para nga këta balena që na kanë pirë gjakun për vite."
Hassan drejtonte sistemin e paraburgimit ushtarak të diktaturës së Assad-it, i njohur për zhvatje masive të parave nga familjet e të burgosurve, sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara të vitit 2024. Një hetim i Reuters këtë vit gjeti se ishte Hassan ai që propozoi zhvendosjen e një varreze masive me mijëra trupa në vitin 2018 drejt shkretëtirës së Dhumair-it jashtë Damaskut për të fshehur përmasat e mizorive të qeverisë së Assad-it.
I braktisur nga ushtria e shpërbërë e Assad-it, Hassan fillimisht u arratis në ambasadën e Emirateve të Bashkuara Arabe në Damask dhe më pas kërkoi strehë në ambasadën ruse në dhjetor 2024 për gati dy javë. Ai u tërbua nga trajtimi që mendonte se po i bëhej keq, meqë i dhanë vetëm një dhomë me një karrige të fortë druri, sipas dy personave të afërt me të.
"Kamal Hassan nuk është njeri që të ulet në një karrige druri për ditë me radhë!" tha ai në një mesazh zanor në WhatsApp për rrethin e tij të ngushtë këtë pranverë, sipas regjistrimeve të pa nga Reuters.
Hassan përfundimisht u vendos në një vilë trekatëshe në periferinë e Moskës, sipas një oficeri që e takoi gjatë verës. Që atëherë, ai ka takuar Maher al-Assad vetëm një herë dhe ruan lidhje të ngushta me mbrojtësit rusë të Bashar-it, sipas dy personave të njohur me lëvizjet e tij.
Sipas koordinatorit të operacioneve të Hassan-it në Liban, Hassan ka shpenzuar 1.5 milionë dollarë që nga marsi për 12,000 luftëtarë në Siri dhe Liban.
"Durim, njerëzit e mi, dhe mos i dorëzoni armët. Unë jam ai që do t'jua rikthejë dinjitetin," tha ai në një mesazh tjetër zanor në WhatsApp nga prilli, i drejtuar komandantëve. Dy marrës e konfirmuan se mesazhi ishte i tiji.
Në mes të vitit, një organizatë bamirëse me emrin "Zhvillimi i Sirisë Perëndimore" njoftoi krijimin e saj dhe tha se financohej nga "qytetari sirian gjeneralmajor Kamal Hassan," sipas një prej postimeve të saj të para në Facebook. Tre oficerë të lidhur me Hassan-in dhe një menaxher i organizatës e përshkruan atë si një mbulesë humanitare që Hassan të ndërtonte ndikim mes alavitëve.
Në gusht, organizata pagoi 80,000 dollarë për të strehuar 40 familje alavite siriane, sipas njoftimit të saj për aksionin e parë. Po atë muaj, Hassan dërgoi 200,000 dollarë kesh tek 80 oficerë në Liban, sipas një dokumenti pagese të parë nga Reuters.
Gjatë verës, Hassan rekrutoi rreth 30 hakerë dikur të lidhur me degën e tij të inteligjencës ushtarake, sipas një ndihmësi në Moskë dhe njërit prej hakerëve, një inxhinier informatike. Urdhrat e tyre ishin të kryenin sulme kibernetike kundër qeverisë së re dhe të instalonin programe spiunazhi në sistemet e saj kompjuterike.
Deri në shtator, të dhënat e qeverisë siriane që ekipi i tij, sipas inxhinierit, vodhi, shiteshin në dark web për 150 deri 500 dollarë. Reuters gjeti online disa nga bazat e të dhënave që ai identifikoi, përfshirë databaza me të dhëna të stafit të ministrive të komunikimit dhe shëndetësisë.
Inxhinieri tha se ish-shefi i spiunazhit Hassan planifikon një sulm të shumanshëm për të rimarrë vendin e tij në Siri. "Gjeneralmajor Kamal-i e di që lufta nuk zhvillohet vetëm në terren, por në çdo front," tha ai.
Një figurë potencialisht kyçe në përpjekjet për të nxitur një kryengritje është Maher al-Assad, vëllai më i vogël i ish-diktatorit.
Maher kontrollonte si perandorinë e tij të biznesit, ashtu edhe njësinë më të fuqishme të ushtrisë siriane, Divizionin e 4-t të Blinduar. Nën drejtimin e tij, sipas kërkimeve të institutit amerikan New Lines, kjo njësi fitoi aq shumë fuqi dhe pavarësi financiare sa u shndërrua thuajse në një shtet brenda shtetit, derisa u godit me sanksione të veçanta nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Bashkimi Europian.
Një komandant i lartë i divizionit, tani në Liban, tha se perandoria financiare e Maherit mbetet kryesisht funksionale, me përjashtim të shitjeve të tij të supozuara të Captagon-it, një amfetaminë e prodhuar në mënyrë të paligjshme. Pasuritë e tij besohet të jenë fshehur përmes kompanive guaskë brenda dhe jashtë Sirisë, sipas një biznesmeni pranë tij.
Komandanti tha se ndërsa Bashar al-Assad është i përqendruar te jeta dhe bizneset e tij private, Maheri ende kërkon ndikim në Siri. Vëllai më i vogël nuk mund të pranojё idenë që fëmijët e Hafez al-Assad-it, themeluesit të diktaturës, të detyrohen të largohen nga Siria, tha ai.
"Familja e konsideron Hafez al-Assad-in si një zot, dhe Maheri po përpiqet të ndërtojë mbi këtë, por deri tani nuk ka vepruar," tha komandanti.
Dy oficerë të divizionit thonë se shumë nga 25,000 luftëtarët e tij, brenda dhe jashtë Sirisë, ende e konsiderojnë Maher al-Assad-in komandantin e tyre dhe ai mund t'i mobilizojë nëse jep urdhrin.
Makhlouf nuk po kërkon mbështetjen e Assad-ëve: publikisht, ai i ka tallur kushërinjtë e tij si "të arratisurit". Hassan, duke u mbështetur në vite lidhjesh personale dhe bashkëpunimi me Assad-ët, po apelon për mbështetjen e Maherit, sipas tre burimeve të larta nga të dy kampet.
Rusia deri tani ka hezituar të ofrojë mbështetje për Hassan dhe Makhlouf, sipas gjashtë personave me njohuri të drejtpërdrejtë mbi përpjekjet e të mërguarve për të fituar Kremlinin. Ndërsa Moska po i strehon të mërguarit, qeveria ruse ka qenë e qartë se prioriteti i saj është ruajtja e aksesit në bazat ushtarake që ajo ende drejton në bregdetin sirian, sipas dy diplomatëve të njohur me pozicionin rus.
Në përpjekje për të fituar ndihmën e Rusisë, një figurë kyçe është një oficer i lartë sirian, Ahmed al-Malla, i cili ka pasur shtetësinë ruse që në fillim të luftës civile. Al-Malla ndërmjetësoi takime të ndara joformale në Moskë duke filluar nga marsi mes zyrtarëve rusë dhe dy zëvendësve të Makhlouf-it dhe Hassan-it që jetojnë në Rusi, sipas procesverbaleve të shkruara me dorë nga një takim të parë nga Reuters. Sipas shënimeve, rusët u thanë të mërguarve: organizohuni, dhe na tregoni planet tuaja.
Al-Malla nuk iu përgjigj kërkesave për koment lidhur me rolin e tij si ndërmjetës.
Por takimet mes zyrtarëve rusë dhe fraksioneve siriane në mërgim janë rralluar, thanë dy persona me njohuri të drejtpërdrejtë për oraret e tyre. Ata thanë se nuk ka pasur asnjë takim që nga vizita e presidentit Sharaa në Moskë në tetor për të siguruar mbështetjen e Kremlinit.
Gjatë vizitës, Sharaa ngriti çështjen e Hassan-it dhe Makhlouf-it me qeverinë ruse, tha al-Shami, guvernatori i Tartusit. Al-Shami tha se Rusia, dhe, veçmas, Libani, "shprehën gatishmërinë për të rritur koordinimin dhe për të parandaluar çdo aktivitet të këtyre individëve brenda territoreve të tyre." Ai nuk ishte në dijeni të ndonjë takimi që komplotistët mund të kenë pasur me zyrtarë rusë.
Njëri nga diplomatët tha se takimi i Sharaa-s në Kremlin "i dërgoi një sinjal kryengritësve alavitë: Nuk kishte askënd jashtë vendit që do t'i shpëtonte."
Ka shenja se Makhlouf, llogaritë e të cilit të biznesit janë ngrirë për shkak të sanksioneve ndërkombëtare, po përballet me probleme të fluksit të parave. Pagat e tetorit nuk kanë mbërritur ende, sipas tre personave me dijeni për transfertat.
Që nga vrasjet e marsit, qeveria e Damaskut është mbështetur te një njeri kyç për të kundërshtuar komplotet: Khaled al-Ahmad, një mik fëmijërie i presidentit Sharaa.
Një alavit, al-Ahmad ka qenë dikur në rrethin e brendshëm të Assad-it. Ai shërbeu si diplomat në hije dhe si një nga themeluesit e Forcave të Mbrojtjes Kombëtare, paramilitarët më të mëdhenj aleatë të Assad-it.
Si Makhlouf, al-Ahmad besonte se ai ishte përgjegjës për fitoren e Assad-it në luftën civile. Assad i rezervoi të njëjtin trajtim si kushëririt të tij, duke ia hequr privilegjet dhe duke urdhëruar ta rekrutonin, sipas dy asistentëve.
Al-Ahmad u arratis në Qipro dhe pastaj, në vitin 2021, vizitoi Idlib-in në veriperëndim të Sirisë për t'u takuar me mikun e tij të vjetër, Sharaa-n, sipas rrëfimeve nga tre persona që kanë punuar me të dy burrat. Ata diskutuan planin e Sharaa-s për rrëzimin e Assad-it, sipas tre personave. Plani u materializua në dhjetor të vitit 2024.
Reuters rishikoi mesazhe zanore në WhatsApp nga al-Ahmad në fund të vitit 2024, në të cilat ai u thoshte zyrtarëve kyç ushtarakë se ishte e kotë të qëndronin me diktatorin që po humbiste dhe premtonte falje nëse e braktisnin atë dhe parandalonin një gjakderdhje.
Në deklaratën e tij për Reuters, al-Ahmad tha se objektivi i tij, ndërsa qeveria po binte në dhjetor, ishte të parandalonte më shumë gjakderdhje, por pranoi se nuk ishte në gjendje të "shpëtonte plotësisht sirianët nga humbje të mëtejshme, apo nga hijet sektare që vazhdojnë të errësojnë shoqërinë tonë."
Sot al-Ahmad është alaviti më i fuqishëm në Siri, duke lëvizur mes një penthouse-i në Bejrut me pamje nga deti dhe një vile të fortifikuar në Damask.
"Roli i tij konsiderohet vendimtar në ndërtimin e besimit mes komunitetit alavit dhe qeverisë së re," tha al-Shami, guvernatori i Tartusit.
Katër asistentë thanë se al-Ahmad po financon dhe koordinon krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimin ekonomik, sepse ai beson se ato janë zgjidhja për papunësinë destabilizuese që pasoi rënien e Assad-it, kur ushtria u shpërbë dhe alavitët humbën postet në qeveri.
Në fund të tetorit, Ministria e Brendshme njoftoi arrestimin e një celule bregdetare për të cilën tha se financohej nga Makhlouf dhe që po planifikonte të vriste gazetarë dhe aktivistë.
Në total, guvernatori i Tartusit al-Shami tha se numri i arrestimeve të personave të lidhur me Makhlouf-in dhe Hassan-in ishte me dhjetëra.
Në të njëjtin bregdet, rezerva pajisjesh po mbledhin pluhur në dhoma nëntokësore, sipas komandantit të terrenit, i cili vetë ruan disa prej tyre.
Do të jenë gati kur të nevojiten, tha ai, por deri tani nuk sheh asnjë palë që ia vlen të zgjidhet.
